Mirësjellja e shitësve rrit fitimin

27.02.2015 16:31

Sjellja e mirë me konsumatorët mund të sjellë marketing falas dhe gjithsesi fitim në biznesin tuaj. Se si të rritet profiti i tyre përmes shërbimit më të mirë me konsumatorët tregojnë përvojat e huaja, e sidomos ato amerikane....

Në një organizim nga Oda Ekonomike amerikane, ekspertët amerikanë thanë se shërbimi i mirë me konsumatorët është një nga faktorët kyç për të promovuar biznesin.

“Këto organizime bëhen me qëllim për të mësuar aftësi të reja. Do të diskutohet për përvojat e biznesit dhe forcës punëtore. Njëkohësisht, qëllimi kryesor i këtij manifestimi është që të zhvillohet konkurrenca e ekonomisë së vendeve dhe ne jemi të fokusuar dhe punojmë  në këtë drejtim”- tha kryetari i Odës Ekonomike të Amerikës, Miroslav Marçev.

Edhe qytetarët e anketuar nga TVM2 pohojnë faktin se shërbimi i mirë nga shitësit gjithnjë ndikon tek blerësi, i cili kthehet sërish tek i njëjti shitës apo te i njëjti prodhim nëse është ndarë i kënaqur me sjelljen e shitësit.

“Po, po, gjithmonë sjellja e mirë ndikon. Për shembull para disa ditëve hyra në një lokal ku më shërbyen mirë dhe pastaj unë u rekomandova shokëve që të shkojnë atje”- tha një qytetar.

“Mua më ka ndodhur një herë kur kam hyrë në një dyqan dhe më kanë pëlqyer rrobat dhe sjellja e shitësit, më pas u kam rekomanduar shokëve  që të shkojnë dhe të blejnë edhe ata në atë vend”- u shpreh një qytetar.

Nga Oda Ekonomike amerikane paralajmëruan se organizimet e këtilla për të shkëmbyer përvoja me biznesmenët e vendit do të organizohen edhe në të ardhmen. (Ersan Pajaziti, TVM2)