Vendosen kontejnerë nëntokësorë në Shkup
Në disa lagje të Shkupit u promovuan kontejnerët nëntokësorë, në të cilët do të selektohen (reciklohen) mbeturinat...

Promovimin zyrtarisht e shënuan kryetarët, ai i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, i Komunës së Aerodromit, Ivica Konevski, si dhe drejtori i NP-së "Higjiena Komunale", Rakip Doçi. Kontejnerët nëntokësorë janë ndërtuar në zonat më të frekuentuara të qytetit.
“Investimi i përgjithshëm në këto tre lokacione për vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë ka kushtuar 6 milion e 6 mijë denarë, ku një pjesë e paguan Qyteti i Shkupit, një pjesë e paguan Komuna e Aerodromit dhe NP “Higjiena Komunale”. Ky projekt është mjaft i rëndësishëm për Qytetin e Shkupit. Përpara këtij promovimi ne kemi vendosur të njëjtit kontejnerë në 14 lokacione në Komunën Qendër, kurse dy në Komunën e Çairit. Dhe në të ardhmen do të kemi në të gjitha komunat”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
“Është për t’u përshëndetur ky projekt i cili ndihmon në mbrojtjen e ambientit jetësor. Në Komunën e Aerodromit janë vendosur në tre lokacione, përballë Qendrës Tregtare “Tri perlat”, pas qendrës tregtare “Kapitoll Mall” dhe përballë Shkollës Fillore “Lazo Angelovski” dhe pres që deri në 2017 pjesa më e madhe e Komunës Aerodrom të ketë kontejnerë të këtillë, të cilët ndihmojnë që higjiena të jetë në nivel më të lartë dhe me këtë shmanget era e keqe dhe mbrohet ambienti jetësor”- tha kryetari i Komunës së Aerodromit, Ivica Konevski.
Drejtori i NP-së "Higjiena Komunale", Rakip Doçi, apeloi deri te të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm në mirëmbajtjen e ambientit jetësor, sepse pjesën më të madhe të përgjegjësisë e kanë ata, pas institucioneve dhe njëkohësisht një mjedis i pastër është në dobi të vetë atyre. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)
