Botë
Rutte: Për tensionet në veri, BE-ja të mos bëj me gisht për fajtorin
04.07.2023 14:20
Kryeministri holandez, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Havier Bettel, qëndruan në Prishtinë...

Kryeministri holandez, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Havier Bettel, qëndruan në Prishtinë, ku janë pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ata kanë shprehur brengat e tyre lidhur me tensionet në veri të Kosovës. Në Prishtinë arritën pas vizitës në Beograd, me ç’rast theksuan nevojën për de-eskalim, si dhe vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rutte tha se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëjë me gisht për ta gjetur fajtorin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për tensionimin e situatës në veri, duke shtuar se blloku duhet të ndihmojë, në vend që të gjejë fajtorin.
“Kemi pasur bisedime të gjata në Beograd edhe Prishtinë jemi të gatshëm që të ndihmojmë. Isha shumë i lumtur kur në shkurt arritëm një marrëveshje bazë se si të lëvizim përpara. Që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe tani duhet që të fokusohem në de-eskalim dhe udhërrëfyesin e BE-së. De-eskalimi duhet që të jetë nga të dyja palët. E kam parë në Beograd edhe këtu që të dyja palët dëshiroje de-eskalim, të gjithë duhet t’i përmbahemi procesit të udhëhequr nga BE.”, - deklaroi kryeministri i Holandës, Mark Rutte.
Bettel: Nuk kemi ardhur të gjykojmë, por të ndihmojmë
Nuk kemi ardhur për të gjykuar, por për të ndihmuar, theksoi kryeministri i Luksemburgut, Havier Bettel.
“I kemi thënë edhe Albinit që nuk jemi këtu për të gjykuar, por për të dëgjuar dhe të mundohemi të ndërtojmë ura, të cilat mes fqinjëve nganjëherë nuk janë shumë të lehta për t’i ndërtuar. Është me rëndësi që të dyja palët të besojnë në punën e BE-së dhe duhet të kemi dialog të hapur.”, - theksoi kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel.
Kurti: Dëshirojmë zgjidhje evropiane e zbatim të marrëveshjeve
Kryeministri Kurti duke theksuar angazhimin e Kosovës në dialog tha se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve pa kushte e vonesa.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte.”, - u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti, po ashtu tha se për shpalljen e dy organizatave nga veriu si organizata terroriste, kanë qenë të njoftuar të gjithë. Kryeministri holandez, Rutte dhe ai i Luksemburgut, Bettel, u pritën edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ç’rast u diskutua për zhvillimet në veri, si dhe marrëdhëniet e Kosovës me këto dy vende.
GYLTENE SINANI
