NATO konfirmon zgjatjen e mandatit, Stoltenberg deri në tetor të vitit 2024

04.07.2023 15:07

Shtetet anëtare të NATO-s...

Shtetet anëtare të NATO-s i kanë zgjatur mandatin e sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg deri më 1 tetor 2024, njoftoi shefi i aleancës në Twitter.

“Jam i nderuar nga vendimi i aleatëve për të zgjatur mandatin tim si sekretar i përgjithshëm. Lidhja transatlantike mes Evropës dhe Amerikës së Veriut siguroi lirinë dhe sigurinë tonë për gati 75 vjet dhe, në një botë më të rrezikshme, aleanca jonë e madhe është më e rëndësishme se kurrë.”, tha Stoltenberg.

Stoltenberg është në detyrë që nga viti 2014. Mandati i tij u zgjat për herë të fundit në mars të vitit 2022, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, deri në shtator të vitit 2023.

Norvegjezi është tashmë sekretari i përgjithshëm i dytë më i gjatë në detyrë, pas holandezit Joseph Luns, i cili udhëhoqi NATO-n nga viti 1971 deri në 1984.

Shtetet e NATO-s tani shpresojnë të bien dakord për një pasardhës në kohë për 75-vjetorin e aleancës në korrik të vitit 2024 në Uashington.

“Aleatët kanë falënderuar sekretarin e përgjithshëm për udhëheqjen dhe angazhimin e tij, të cilat ishin thelbësore për ruajtjen e unitetit transatlantik përballë sfidave të paprecedentë të sigurisë.”, thuhet në një shënim të publikuar në faqen e NATO-s.