Hakmarrja politike e Gruevskit, me dinamit
Kryeministri, Nikolla Gruevski, ka shfrytëzuar pushtetin, por edhe lëndë plasëse për të dëmtuar kundërshtarët politikë...

Rrënimi i objektit “Kosmos” i biznesmenit dhe politikanit, Fiat Canovski, është hakmarrje politike, thotë kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili akuzën e mbështet në biseda të përgjuara telefonike mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe ministrit të Transportit, Mile Janakievski, të publikuara sot si e ashtuquajtura “Bomba 5”.
“Me urdhëresë dhe kërkesë të drejtpërdrejtë të Nikolla Gruevskit rrënohet investimi milionësh i Fiat Canovskit, objekti “Kosmos”. Qëllimi është hakmarrje politike ndaj Fiat Canovskit. Nikolla Gruevski, personalisht e nxit dhe kontrollon të gjithë aksionin e rrafshimit të objektit me dheun”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Edhe rasti “Merimanga” dhe mbyllja e televizionit A1 ka qenë hakmarrje politike, thotë Zaev. Ai premtoi se edhe ky rast do të zbardhet në ndonjërën nga “bombat” e radhës.
Lideri i opozitës maqedonas thotë se Nikolla Gruevski e merr pushtetin në forma të paligjshme. Sipas tij, në publikimet e radhës në opinion do të kuptojë se gjatë zgjedhjeve në Maqedoni pushteti ka aplikuar metoda që njeriu as që mund t’i imagjinojë.
“Zgjedhjet dhe parregullsitë zgjedhore janë kulmi, pasi nga zgjedhjet Gruevski, rrejshëm, e fiton të drejtën që të na e imponojë, kinse sipas vullnetit të qytetarëve, të gjithë këtë që po e ndajmë me opinionin”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Përgjimi do të zbulojë edhe lojën rreth emrit. Sipas Zaevit, Gruevski ka shkuar aq larg sa që po rrezikon shtetin.
“E dëgjuat para dy ditë, kryeministri thotë: e gjithë kjo ndodhë sepse është i rrezikuar. Kur ta dëgjoni deri ku ka shkuar njeriu me këtë emër, çfarë ka pranuar, do të shihni se sa është i rrezikuar edhe shteti edhe populli”- tha Zaevi.
Zaev, zotohet se do të zbardh të vërtetën për Maqedoninë, pa kursyer askënd. Synimi i tij është që të demaskojë pushtetin, por nuk do të kursejë as aktorët opozitarë të cilët kanë vepruar në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
