Maqedoni

Shënimi i pavarësisë së ShBA-ve, liderët politik urojnë 247 vjetorin e pavarësisë

04.07.2023 15:27

Të shumta kanë qenë urimet në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës...

Të shumta kanë qenë urimet në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shënimin e ditës së pavarësisë. Me këtë rast kryeministri Dimtar Kovaçevski tha se ShBA-të është partner strategjik i RMV-së, mbështetja e së cilës është me rëndësi të jashtëzakonshme për përparimin e vendit. 
 
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerja jonë strategjike, mbështetja e së cilës në të gjitha sfidat që nga pavarësia e deri më sot, përfshirë edhe mbështetjen e sigurt për procesin e eurointegrimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e vlerësojmë jashtëzakonisht. Përkushtimi i përbashkët ndaj demokracisë, lirisë, barazisë, respektimit të të drejtave të njeriut, ndërtimit të shoqërive të fuqishme demokratike është baza në të cilën miqësia dhe partneriteti ynë do të vazhdojnë të zhvillohen dhe përforcohen edhe në planin politik, edhe në atë ekonomik, por edhe të bashkuar në anën e duhur si aleatë në NATO.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka uruar pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në urimin e tij, Ahmeti ka shprehur mirënjohje për ShBA-të dhe për, siç thotë, përkrahjen e përhershme në rrugën e zhvillimit demokratik dhe integrimit evropian të vendit.
 
“Fryma e demokracisë amerikane është udhërrëfyes, garanci e stabilitetit dhe sigurisë së vendeve tona. Mbështetja e tyre për ne është jetike në projektimin e së ardhmes sonë progresive. Duke çmuar miqësinë tonë të sinqertë shumëvjeçare dhe duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e përhershme në rrugën e zhvillimit demokratik dhe integrimit evropian të vendit, urojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës 247 vjetorin e Pavarësisë.”, - theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Urime në drejtim të ShBA-ve kanë dërguar edhe liderët tjerë të subjekteve politike shqiptare. 
 
“Më 4 korrik, 247 vite më pаrë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën Pavarësinë e tyre, duke ndërtuar kështu një model të jashtëzakonshëm demokracie, drejtësie, solidariteti dhe humanizmi, me rrezatim në tërë rruzullin tokësor. Shtetet e Bashkuara janë paasnjë mëdyshje fanari i civilizimit dhe i demokracisë. Si shqiptarë, krenohemi me miqësinë tonë të thellë dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara.”, - u shpreh lideri i ASh-së, Arben Taravari.
 
“Shteti më i fuqishëm i botës ShBA-të, festojnë 247 vjetorin e Pavarësisë së saj. Populli mik amerikan, si dhe aleati kryesorë i shqiptarëve duhet çmuar çdo moment për kontributin e tyre që japin nëpër botë për forcimin e demokracisë.”, - theksoi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
 
“Miku i mirë njihet në ditë të vështirë, shqiptarët mbeten gjithmonë populli më proamerikan, jo vetëm në rajon, por edhe në botë. Në të vërtetë, jo më pak ShBA-të kanë dëshmuar aleancë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe me shqiptarët që jetojnë këtu, duke na mbështetur dhe përkrahur gjithnjë në rrugën euroatlantike.”, - u shspreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Shtetet e Bashkuara shënojnë 247 vjetorin e Pavarësisë së tyre. 
 
FITIM KRYEZIU