Maqedoni

Krimi dhe korrupsioni, partitë politike me akuza të ndërsjella

04.07.2023 15:53

Partitë politike vazhdojnë konfrontimet në lidhje me atë se cila parti politike është më shumë e zhytur në krim dhe korrupsion....

Partitë politike vazhdojnë konfrontimet në lidhje me atë se cila parti politike është më shumë e zhytur në krim dhe korrupsion. Nga VMRO-DPMNE akuzuan se përveç blerjes së “Soravias”, kompania e Drin Ahmetit është nënkontaktuese edhe në projektin e Korridorit 8, me çka hap dyshime serioze për përfshirje të Ali Ahmetit në këtë projekt. 
 
“Drin Ahmeti me “Tor Industries”, së bashku me një kompani tjetër nga klani i Zajazit, për të cilën do të flasim këto ditë, është përfshirë në ndërtimin e Korridorit 8, kontrata që kanë të dyja kompanitë është 1.3 milionë euro për gërmime dhe punime të tjera ndërtimore. Kur shumë firma janë në vështirësi për të gjetur punë, firma e Drinit është partneri i preferuar dhe nënkontraktori i gatshëm i shumë firmave më të mëdha. A fshihet Ahmeti pas kësaj?”, - deklaroi Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja. 
 
Nga ana tjetër, kryetari i OQM-së, Stefçe Jakimovski, para selisë së VMRO-së drejtoi pyetje deri te Hristijan Mickoski se sa vjeç ishte kur ndërtoi hidrocentralin e parë, sepse këto ditë partia e tij shpesh pyet se si nipi 25-vjeçar i Ali Ahmetit e fitoi një pasuri kaq të madhe. 
 
“Këto ditë është një temë aktuale nipi i Ali Ahmetit dhe si e ka fituar një pasuri kaq të madhe në moshën 25-vjeçare. Është një çështje legjitime dhe duhet hetuar. Pyetjen më së shpeshti e bën VMRO-DPMNE, e kemi një pyetje për Hristijan Mickoski, sa vjeç ishte kur e ndërtoi hidrocentralin e parë pasi u bë drejtor i ELEM-it.”, - theksoi kryetari i OQM-së, Stefçe Jakimovski. 
 
Nga BDI-ja ndërkohë thonë që VMRO-DPMNE, në vend që të fundoset për çdo ditë në sentimentin antishqiptar dhe antievropian, duhet të mbështesë Maqedoninë Evropiane. 
 
“Në vend që të shqetësohet për BDI-në, duhet të shqetësohet për Maqedoninë e Veriut. Në vend që Mickoski t’u japë udhëzime kryetarëve të komunave të tij që të mos lëshojnë leje ndërtimi dhe vërtetime për procedura ligjore, legalizimi për shqiptarët, në vend që të ndalojë dhënien e punëve për kompanitë shqiptare, le të lejojë që deputetët e tij të votojnë sipas bindjes së tyre.”, thonë nga BDI-ja. 
 
Ndërkohë, nga Lëvizja “Besa” i shohin si hipokrite deklaratat e kreut të integristëve, i cili bëri thirrje për hetim të rasteve nga organet e drejtësisë, të cilat sipas kryetarit të “Besës”,  Kasami, janë të politizuara. 
 
“Për cilën Prokurori e keni fjalën? Për atë Prokurori e cila drejtohet nga një shërbëtor i juaji, për atë që është e kapur kokë e këmbë nga ju? E keni fjalën për atë të cilën e udhëheq Islami, i cili, njëjtë sikur nipi juaj Drini, nuk e dinte se si ka përfunduar nëpër shtëpitë tuaja duke bërë fotografi me ty dhe familjarët tuaj.”, - u shpreh kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami. 
 
Përndryshe, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ditë më parë bëri thirrje që të hetohet e gjithë anëtarësia e BDI-së, përfshirë edhe nipin e tij. 
 
ERSAN PAJAZITI