Maqedoni
Kuvend, Ligj për përdorim të drejtë të maqedonishtes
04.07.2023 16:17
Qeveria në përpjekje për mbrojtjen e gjuhës maqedonase dhe përdorimin e saj adekuatë....

Qeveria në përpjekje për mbrojtjen e gjuhës maqedonase dhe përdorimin e saj adekuatë. Në Kuvend, debat për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase. Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska, thotë se iniciativa vjen pas kërcënimit ndaj gjuhës maqedonase, sikurse përdorimi jo adekuat në të gjitha sferat e shoqërisë.
“Do të zgjerohet lekturimi i teksteve, akteve në pushtetin gjyqësor, Kuvend dhe në komuna, dokumenteve zyrtare të këtyre institucioneve, por edhe institucioneve publike të kulturës, arsimit dhe shkencës. Patjetër do të lekturohen marrëveshjet ndërkombëtare, librat, afishet dhe çdo material reklamues, emrat e produkteve, ambalazhet, ilaçet, faturat dhe të tjera.”, - deklaroi ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska.
VMRO aludon për probleme që në start
Lekturimin do ta kryejnë lektorë të licencuar. Aktualisht janë të licencuar më shumë se 400 persona. Nga VMRO hapin dilemat se nuk ka lektorë të mjaftueshëm.
“Sqarimi, duke qenë optimist se çështja do të rregullohet, nuk është zgjidhje. Ministria e Kulturës bashkë me Ministrinë e Arsimit duhet të dinë saktë se lektorë nevojiten. Nëse që në fillim lejojmë të mos zbatohen dispozitat e këtij ligji, atëherë më kot e miratojmë ligjin.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zdravko Trajanov.
LSDM: Mbrojmë identitetin dhe gjuhën
Nga LSDM-ja konsiderojnë se me strategjinë nacionale po mbrohet gjuha dhe identiteti maqedonas.
“Është paksa paradoksale që kjo ndodh me Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së, përderisa ende sulmohemi se po tradhtojmë identitetin, kërcënojmë ekzistimin e popullit maqedonas. Më vjen mirë që i gjithë opinioni mund të shoh se me zgjidhjen e re ligjore dhe strategjinë nacionale ne nuk rrënojmë asgjë, përkundrazi po forcojmë themelet.”, - u shpreh deputetja e LSDM-së, Snezhana Kalevska Vançeva.
Parashikohet të formohet inspektorat i cili do të kontrollojë përdorimin e gjuhës maqedonase, në të kundërtën do të pasojnë gjoba nga 300 deri në 3 mijë euro, varësisht shkeljes së bërë.
MERAL ISMAILI
