ASHAM, në konkurs 24 kandidatë, 7 shqiptarë
Me konkursin e fundit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve pritet që në këtë institucion të lartë shkencor të ketë më shumë hapësirë edhe për shqiptarët dhe bashkësitë e tjera joshumicë...

Nga 24 kandidatë, sa janë paraqitur, 7 prej tyre janë shqiptarë. Akademiku, Alajdin Abazi, vlerëson se tani është shansi real për të rritur numrin e shqiptarëve edhe në këtë institucion, jo për shkak të përfaqësimit, por për shkak të ofertës dhe punës së tyre shkencore.
“Unë shpresoj këtë herë nuk do të bëhet pyetje vetëm të pranohet vetëm një anëtarë, po mundet më tepër, dy apo tre të ri. Në këtë mënyrë do të plotësohen disa përfaqësime të themi edhe të shqiptarëve në njësitë, ekzistojnë gjashtë njësi në ASHAM. Tani jemi tre veta në tre njësi të ndryshme të teknikës së shkencave shoqërore dhe të arteve, natyrisht ka edhe tre njësi tjera. Unë nuk kam njohuri se në çfarë njësi kanë konkurruar, por megjithatë tani është një shans real që të rritet numri i shqiptarëve jo për shkak të përfaqësimit, por për shkak të ofertës që mund të japin tani më të rinjtë me punën e tyre shkencore”- deklaroi akademiku, Alajdin Abazi.
Se ka ndryshuar qasja ndaj përfaqësimit beson edhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Vllado Kambovski. Ai thotë se njësitë përkatëse të këtij institucioni shkencor do të mbajnë llogari edhe në përfaqësimin e bashkësive joshumicë.
“Mua më gëzon fakti që kemi kandidat nga radhët e shqiptarëve, si dhe nga radhët e bashkësive tjera joshumicë. Kjo tregon se këto komunitete në mënyrë të barabartë marrin pjesë në të gjitha këto gara të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, të cilën në kohët e mëparshme nuk kemi pasur mundësi ta vlerësojmë kështu gjendjen”- tha kryetari i ASHAM-it, Vllado Kambovski.
Kambovski tha se njësitë gjithashtu do të dalin me propozimet e tyre dhe gjithsesi do të mbajnë llogari për këtë çështje. Tani rrjedh faza kur krahas kandidatëve të propozuar nga jashtë, vetë njësitë do të dalin me kandidatë të shquar nga bashkësitë tjera etnike, tha ai.
Nga kandidatët e rinj në fushën e shkencave shoqërore kanë konkurruar Avzi Mustafa, Fatmire Lumani, Hasan Jashari, Veton Latifi dhe Izet Zeqiri. Për shkencat teknike Zamir Dika dhe për shkencat linguistike Qemal Murati.
Ndryshe, Akademia e Shkencave dhe Arteve sot ka miratuar raportin për aktivitet e vitit 2014 dhe programin e punës për vitin 2015. (Naim Ramadani, TVM2)
