Zaev: Përgjimet përfshijnë edhe diplomatë të huaj në vend

27.02.2015 17:42

Afera e përgjimeve dhe audio-materialet e publikuara nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka përfshirë edhe 6 diplomatë të huaj në vend...

Ambasadori italian në Maqedoni, Ernesto Massimo Bellelli, në intervistë për Radion “Evropa e lirë”, që do të publikohet të dielën, ka  thënë se lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, e ka  njoftuar se subjekt i përgjimeve kanë qenë edhe ambasadorët e huaj.

Ambasadori thotë se për këtë gjë nuk ka pranuar ende asnjë provë nga opozita.

Në intervistën për REL, Bellelli ka thënë se ambasadorët e BE -së kishin diskutuar për një mundësi të tillë, pasi kreu socialdemokrat u tha se shërbimet i kishin përgjuar edhe ata.

Ne nuk kemi kurrfarë provash deri tani, pasi nuk kemi pranuar ende diçka të tillë. Por, kur u takuam me liderin e opozitës, ai më tha se janë përgjuar edhe disa ambasadorë të akredituar këtu dhe disa të tjerë të cilët kanë mbaruar mandatin”- tha Bellelli. Ai ka shprehur shqetësimin për rastin në fjalë, dukë shtuar se sipas Konventës së Vjenës diplomatët nuk guxojnë të përgjohen as edhe me urdhër gjyqësor.

Njëherit, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, në konferencën e pestë me radhë ka konfirmuar se në mesin e të përgjuarve ka edhe diplomatë të vendeve të huaja. Ai tha se janë 6 ambasadorë që janë përgjuar nga shërbimet e vendit. Zaev nuk tha pse janë zgjedhur pikërisht ata 6 ambasadorë, por bëri me dije se fjala është për ambasadorët e vendeve më me ndikim.

Kreu socialdemokrat tha megjithatë se përgjimet e ambasadorëve nuk do të publikohen, por do t’u jepen personalisht atyre. Sipas së Drejtës Ndërkombëtare, përfaqësuesve diplomatikë u garantohet imunitet dhe një situatë e tillë mund të shpie në konflikt diplomatik. (Florije Kamberi, TVM2)