USHT, organizon Konferencën e dytë Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive

27.02.2015 17:48

Për herë të dytë, Fakulteti i Kulturës Fizike pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës ka organizuar Konferencën e dytë Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive...

Në këtë konferencë pritet që të marrin pjesë mbi 100 pjesëmarrës të edukimit, shëndetit, sportit, rekreimit, menaxhimit, turizmit dhe  profesionalistë tjerë që kanë të bëjnë me edukimin fizik dhe sportin.

“Hapja e punimeve të konferencës së sotme shkencore e rikonfirmon edhe njëherë gatishmërinë institucionale dhe përcaktimin tonë të përbashkët në përparimin e veprimtarisë arsimore dhe shkencore, krijimin e mundësive për kuadrot akademike, të cilët me kontributin e tyre shkencor besojmë se do t’i avancojnë më tej përparësitë dhe risitë që ofrojnë sot shkencat sportive”- deklaroi prorektori për arsim i USHT-së, prof.dr. Fehari Ramadani.

“Fakulteti i Kulturës Fizike në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës synon që studentët që mbarojnë studimet të jetë të përgatitur profesionalisht dhe të kenë respektin për njeriun gjatë gjithë veprimtarisë së tyre. Po kështu, në institucionin tonë punohet për mundësi të teknologjive të reja sportive, për dije, për shërbime që kërkohen kontakte dhe integrime të studentëve tanë në projektet shkencore të përbashkëta”- tha dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, prof.dr.Hajri Ziba.

Kjo konferencë është mbështetur fuqishëm edhe nga Zyra për Hulumtime Shkencore dhe Inovacione e USHT-së, ndërsa do të trajtojë pesë tema.

“Me datën 27 shkurt 2015, Fakulteti i Kulturës Fizike pranë USHT-së organizoi Konferencën e dytë Ndërkombëtare Ballkanike të Shkencave Sportive. Në këtë konferencë janë të përfshirë 5 tema: Edukimi fizik;  Sporti; Shëndeti i edukimit fizik dhe sporti; Menaxhimi i edukimit fizik dhe sportit dhe Ndikimi i edukimit fizik dhe sportit në rritjen dhe zhvillimin e adoleshentëve tha koordinatori i konferencës, doc.dr.Fadil Mamuti.

“Në këtë drejtim, udhëheqësia e USHT-së nën udhëheqjen e rektorit, prof.dr. Vullnet Ametit, ka formuar një sërë zyrash, e veçanërisht për komponentën shkencore me rëndësi janë Zyra për Përpilim dhe Menaxhim të Projekteve, si dhe Zyra për Hulumtime Shkencore dhe Inovacione. Roli i Zyrës për Hulumtime Shkencore është pikërisht të ndihmojë komunitetin shkencor të USHT-së nëpërmjet furnizimit me të dhëna”- u shpreh drejtuesi i Zyrës për Hulumtime Shkencore dhe Inovacione, prof.dr.Bashkim Ziberi.

Në konferencë marrin pjesë mbi 16 institucione nga vendi dhe jashtë vendit, ku do të prezantojnë punimet e tyre që paraprakisht janë pranuar nga Bordi Organizativ i Konferencës dhe janë të botuara në librin e abstrakteve. (Miftar Emini, TVM2)