Botë
Kurti: Vetura të autoambulancave bartin armë në veri
05.07.2023 13:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kearns...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar deklaratën e deputetes britanike, Alicia Kearns, se Serbia po kontrabandon armë me autoambulanca duke i dërguar nëpër kishat serbe në veri të Kosovës. Kurti, për këtë e ka njoftuar edhe NATO-n dhe komandantin e KFOR-it.
“Ju e dini se çfarë gjetëm në Zveçan, arsenal për luftë. Ose tash kemi këtë informacionin se veturat e ambulancave janë përdorur për të bartur armatim. Unë sot do ta kem një takim me përfaqësuesit e NATO-s për këtë gjë, do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it, Ristuçia, dhe se pas këtyre takimeve do të mund ta japim fjalën përfundimtare.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nuk ka dilemë se kush po e nxit eskalimin e situatës, tha Kurti, sipas të cilit këtë po e bën Serbia, ndërsa ai tha se gatishmërinë për de-eskalim të situatës ia ka shprehur edhe ndërmjetësit të BE-së, Lajçak, të cilit njëherit i ka theksuar mospajtimin me masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Kurti njëherit ka shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme në komunat veriore, por me kushte për një fushatë demokratike dhe me garanci se ato nuk do të bojkotohen përsëri nga serbët.
Kurti: Mbledhje e dy qeverive ose nuk takohem me Ramën
Sa i përket vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me 6 dhe 7 korrik në Kosovë, Kurti insiston në mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive, ku do të nënshkruheshin edhe disa marrëveshje bashkëpunimi, në të kundërtën refuzon takimin mes dy kryeministrave.
“Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia e paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsyeshëm, andaj unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, por jo takimi me Edi Ramën.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ky qëndrim i Kurtit vjen pasi kryeministri Rama ka mbajtur qëndrim kritik ndaj tij për zhvillimet në veri të Kosovës, ndërsa autoritetet e Kosovës nuk ishin ftuar as në pritjen e ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, që u organizua në Tiranë nga Qeveria e Shqipërisë.
GJYLTENE SINANI
