Maqedoni

Bekteshi thirrje publike deri te Mickoski: Të shkojmë te Shkumbin Ahmeti për të parë faktet

05.07.2023 15:17

Kompania e Shkumbin Ahmetit, djalit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, merret me projekte që ndërtohen jashtë vendit...

Kompania e Shkumbin Ahmetit, djalit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, merret me projekte që ndërtohen jashtë vendit, kryesisht në Zvicër dhe asnjëherë nuk ka qenë i përzier në ndonjë projekt në vend, tha ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Madje, Bekteshi i bëri thirrje publike kryetarit të VMRO-DPMNE-së që të shkojnë në Kërçovë për të vizituar zyrat e tij dhe në këtë mënyrë të njoftohet me të vërtetën.
 
“Të gjitha projektet e tij të cilat i ka zhvilluar ka qenë të dedikuara për tregun e jashtëm, më konkretisht për në Zvicër dhe nuk ka asnjë projekt të cilin ai e ka bërë me institucione shtetërore apo me kompani që themelohen nga shteti. Pra, z. Mickoski dhe të gjithë anëtarët e partisë së tij janë të ftuar të shkojmë të vizitojmë zyrën e z. Shkumbin Ahmeti, i cili punon privatisht.”, - theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
VMRO-DPMNE: A është paguar tatim për blerjen e “Soravias”
 
Nga ana tjetër, marrëveshjet e familjes Ahmeti janë në fokus të opozitës VMRO-DPMNE. Ata kërkojnë që qeveria e Kovaçevskit dhe institucionet nën kontrollin e tij të mos heshtin, të thonë se a është paguar taksa e shitjes për “Soravia” dhe si është kryer transaksioni? 
 
“Nga informacionet që disponojmë, mund të konstatohet se në dy vite qendra e biznesit “Soravia” ka realizuar një fitim afër 2 milionë euro. Dhe e gjithë kjo kur nuk përdoret plotësisht. Qendra e biznesit “Soravia” është një objekt i madh që ka një hapësirë të madhe të papërdorur. Prandaj, lind pyetja logjike, a do të gjenden si qiramarrës kompani të afërta me qeverinë apo ndoshta organet shtetërore? A do të gjenerojë klani i Zajazit profit milionësh përmes “Soravia”-s?”, - u shpreh Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE-ja. 
 
LSDM: Mickoski, në ballë të krimit në VMRO-DPMNE
 
Nga LSDM-ja kundërpërgjigjen duke thënë se Mickoski është në ballë të krimit në VMRO-DPMNE. Nga LSDM-ja e kanë quajtur dyfytyrësi qëndrimin e Mickoskit, pasi nga njëra anë akuzon për krim, kurse nga ana tjetër nuk kërkon përgjegjësi për rastin “Feniks”.
 
“Në vend që Hristijan Mickoski të kërkojë zbardhje të plotë të të gjithë rasteve dhe procedurave ligjore. Në vend që të kërkojë përgjegjësi nga secili që ka shkelur ligjin, ai e mbron krimin e VMRO-DPMNE-së. Kjo i konfirmon se asgjë nuk ka ndryshuar në VMRO-DPMNE. Ajo është e njëjta parti kriminale.”, - theksoi Mile Talevski nga LSDM-ja.
 
Për rastin “Soravia” thirrje për hetim ka bërë edhe kryeministri Kovaçevski, por edhe vet lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka hapur lëndë për hetimin e shitblerjes së Qendrës tregtare “Soravia”. 
 
ERSAN PAJAZITI