Maqedoni

“Grupi i zjarrit”, Ganiu mohon përçarjen brenda fraksionit

05.07.2023 15:35

“Grupi i zjarrit” mohon përçarje brenda fraksionit, përkatësisht degës së Çairit dhe Sarajit....

“Grupi i zjarrit” mohon përçarje brenda fraksionit, përkatësisht degës së Çairit dhe Sarajit. Kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, thotë se anëtarët e fraksionit janë nëpër pushime dhe pas përfundimit do të mblidhen për të dakorduar qëndrimet e tyre.
 
“Për momentin nuk ka as përçarje. Ne, disa nga kolegët tanë janë në pushim. Tani do të kthehemi, do të ulemi, do të koordinohemi të gjithë, por një gjë të këtillë që ka përçarje e kam marrë nga mediat, përbrenda nuk ka asgjë.”, - deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Ganiu i përmbajtur për parti të re
 
“Grupi i zjarrit” nuk pranon as përzgjedhjen e Bekim Nezirit për kryetar dege të Çairit, në vend të Izet Mexhitit. Ganiu thotë se përzgjedhja e Nezirit është jo legjitime, andaj ata nuk kanë marrë pjesë. Ai i përmbajtur rreth formimit të një lëvizje të re politike edhe përkundër pohimeve të Mexhitit. Thotë se fillimisht do të shterin gjitha mundësitë për të vepruar brenda partisë.
 
“Dalë nga dalë po shteren mundësitë, por do të shohim hapat e ardhshëm. As në këtë moment nuk e mohoj, çdo herë do të grumbullohemi dhe do të shohim për hapat e ardhshëm, por deri në maksimum do ta shfrytëzojmë hapësirën se a mund të veprojmë brenda partisë. Në atë moment që na i mbyllin dyert, ne duhet të shohim opsionet të tjera se si do të veprojmë.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. 
 
Se të gjithë anëtarët e fraksionit do të vendosin njëzëri për të qëndruar brenda partisë apo për të ikur, Ganiu thotë se të gjitha mendimet do të shqyrtohen në tavolinë dhe do të vendoset me një procedurë demokratike.
 
MERAL ISMAILI