Maqedoni

Gjykata Kushtetuese përkohësisht ndalon grafën etnike, skadoi afatin kohor për publikimin në Gazetën Zyrtare

05.07.2023 15:53

Përkohësisht nuk do të ketë grafë etnike në certifikatat e lindjes....

Përkohësisht nuk do të ketë grafë etnike në certifikatat e lindjes. Me pesë vota “për” dhe dy “kundër,  gjykatësit kushtetues e shtynë zbatimin e udhëzimit për përcaktimin e përkatësisë kombëtare në certifikatat e lëshuara nga Evidenca Amë, të cilën më herët e lëshoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. Ata arsyetojnë vendimin e tyre, se ka tejkaluar afatin e parashikuar për publikimin e këtij udhëzimi në Gazetën Zyrtare. 
 
“Gjykata Kushtetuese sot vendosi që me sjelljen e  udhëzimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është bërë shkelje e nenit 52, paragrafi 2 nga Kushtetuta, përkatësisht nuk është respektuar afati kushtetues në të cilën është dashur të shpallet ky udhëzim. I regjistruar me numër arkiv 29 maj të vitit 2023, kurse i shpallur më 15 qershor të vitit 2023, me çka do të thotë se nuk është respektuar Kushtetuta dhe neni 52 në të cilën parashihet afat për së paku shtatë ditë.”, - deklaroi zëdhënësja e  Gjykatës Kushtetuese, Hristina Belloska.
 
Lloga: Vendimi është “blerje kohe”, paralajmëron tekst të ri të udhëzimit
 
Seancën e gjyqtarëve kushtetues e ndoqi nga afër edhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili tha se ky vendim është vetëm “blerje kohe” për të shtyrë zbatimin e tij në praktik. Pavarësisht kësaj, Lloga paralajmëron se do të lëshojë tekst të ri të udhëzimit, i cili urgjentisht do të publikohet në Gazetën Zyrtare. 
 
“Jam i lumtur që ndodhi kjo me udhëzimin që kam nënshkruar unë, që të dalin në pah edhe shumë parregullsi tjera që janë bërë ndër vite. Para jush, ju keni të gjitha Gazetat Zyrtare të javëve të fundit, ku shihet se është shkelur afati kushtetues dhe për këtë Gjykata Kushtetuese ka pasur të drejtë që ka ngritur iniciativë për udhëzimin, për të cilin duhet të theksoj se është punë e sekretariatit ligjvënës në Qeveri, e jo e Ministrisë, sepse ne e kemi dërguar në kohë dhe nuk duhet të blihet kohë me masën e përkohshme, por ftoj Gjykatën Kushtetuese që të njëjtën të hedhë poshtë. Në ndërkohë paralajmëroj se do të ketë udhëzim plotësisht të ri ku do të përsëritet e njëjta gjë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe do të mbesin në fuqi ajo pjesë e udhëzimit, e cila për fat të keq nuk ishte pjesë e diskutimit, sepse sot është vendosur vetëm për anën formale të aktit, por jo edhe për anën materiale përmbajtjesore të udhëzimit.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
 
Lloga njëkohësisht përgëzoi gjykatësit kushtetues që të veprojnë shpejtë edhe për raste të tjera të ngjashme të cilat zvarriten.
 
REXHEP QAMILI