Maqedoni
Komuna e Çairit promovon platformën “Çairi vendos”
05.07.2023 17:02
Komuna e Çairit promovoi platformën “Çairi vendos”, qëllimi i së cilës është të jetë urë lidhëse mes qytetarëve dhe komunës...

Komuna e Çairit promovoi platformën “Çairi vendos”, qëllimi i së cilës është të jetë urë lidhëse mes qytetarëve dhe komunës, duke ofruar mundësinë që përmes debatit, idetë e qytetarëve të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Shoqata për avancimin e demokracisë “Demokracy lab” në bashkëpunim me Komunën e Çairit kanë ndërmarrë këtë nismë, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të kësaj komune.
“Kjo platformë do të jetë në dispozicion të qytetarëve të Çairit, që në mënyrë konstruktive, proaktive të angazhohen në debat me zyrtarët e Komunës së Çairit, duke u dhënë mundësi të shpalosin ide për përmirësimin e kushteve në komunitetin e tyre dhe duke iu dhënë mundësi që në mënyrë të strukturuar të japin propozime që mund të mbështeten edhe nga pjesa tjetër e qytetarëve dhe në këtë formë të ngriten prioritetet për komunën dhe zyrtarët e saj.”, - deklaroi drejtori ekzekutiv i “Demokraci lab”, Sefer Selimi.
Në Komunën e Çairit është evidente uzurpimi i hapësirave publike me mallra apo zgjerimi i terasave të kafeneve. I pyetur se çka do të ndërmerr komuna për evitimin e dukurive të tilla negative kryetari Visar Ganiu, me përgjigje se është reaguar për këto raste, por këto çështje nuk janë nën kompetenca të Komunës së Çairit.
“Është e vërtetë që ato ndodhin në territor të Çairit, por ingerencat për të vepruar nuk i kemi ne, por institucionet tjera. Këtu duhet bashkërisht jo vetëm të flasim, se me vite flasim, sepse asnjë ligj nuk ka kaluar në interes të pushtetit lokal, me vet faktin se shteti ynë është më i centralizuari në Evropë, tregon gjithçka.”, - theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Kjo platformë mbështetet financiarisht nga Ambasada e ShBA-ve në vendin tonë.
“Ne po mbështesim këtë nismë në bashkëpunim me “Demokraci lab” dhe Komunën e Çairit. Ne dëshirojmë të shohim progres dhe çka po ndodh me fondet, sepse kjo nismë mbështetet nga taksapaguesit tanë, të cilat ne mendojmë se fondet do të përdoren në të mirën e përgjithshme me përfshirjen e parimeve demokratike për qeverisje transparente.”, - u shpreh zëvendës shefja e Sektorit për Marrëdhënie me publikun, Ambasada e ShBA-ve, Augusta Filbin.
Qëllimi i platformës është që të minimizohen dukuritë negative në Komunën e Çairit, ndërsa kryetari Visar Ganiu, me premtim se do të kyçet edhe personalisht në debatet me qytetarët për përmirësimin e kushteve të jetesës.
FLUTURA LATIFI
