Botë
Forcat izraelite goditën në disa lokacione në Rripin e Gazës
05.07.2023 13:38
Avionët izraelitë goditën disa lokacione në Gaza, pasi militantët e kontrolluar nga Hamasi hodhën pesë raketa...

Avionët izraelitë goditën disa lokacione në Gaza, pasi militantët e kontrolluar nga Hamasi hodhën pesë raketa, të cilat më pas u kapën. Ushtria izraelite u tërhoq nga kampi “Xhenin” në Bregun Perëndimor, duke i dhënë fund një operacioni dyditor që la të vdekur 12 palestinezë dhe një ushtar izraelit. Pamjet nga kampi janë të tmerrshme – shtëpi të shkatërruara, makina dhe infrastrukturë të shkatërruar. Ministri palestinez i shëndetësisë akuzoi Izraelin për sulme ndaj spitaleve.
“Agresioni kundër popullit tonë në qytetin e Xheninit dhe kampin e tij dhe shënjestrimi i qëllimshëm i personelit mjekësor, urgjencës dhe spitaleve, kulmoi me të shtënat ndaj qytetarëve në Spitalin Qeveritar të Xheninit. Dëme të mëdha janë shkaktuar në infrastrukturën e ujit, energjisë elektrike dhe kanalizimeve, të cilat mund të shkaktojnë katastrofë shëndetësore. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që të ndërhyjë, për të siguruar spitalet dhe pacientët.”, - deklaroi ministrja e Shëndetësisë palestineze, Mai al-Kaila.
Kryeministri Netanyahu konfirmoi se operacioni përfundoi, por tha se nuk ishte sulm i njëhershëm.
“Kushdo që mendon se një sulm i tillë do të na pengojë të vazhdojmë luftën tonë kundër terrorizmit është gabim, ata nuk e njohin frymën e shtetit të Izraelit, nuk e njohin qeverinë tonë, qytetarët tanë dhe luftëtarët tanë. Luftëtarët tanë trima shkatërruan shumë infrastruktura terroriste dhe kështu parandaluan shumë sulme.”, - theksoi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Luftimet midis ushtarëve izraelitë dhe militantëve palestinezë vazhduan gjatë tërheqjes nga Xhenini.
FITORE DEMOLLI
