Maqedoni
Përmirësimi i efikasitetit në shkolla, Shaqiri: Parashohim më shumë fonde për arsimin
06.07.2023 14:12
Suksesi i arritur i nxënësve është nën mesataren e moshatarëve të tyre nga vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian...

Suksesi i arritur i nxënësve është nën mesataren e moshatarëve të tyre nga vendet e rajonit dhe në Bashkimin Evropian, vendi po përballet me një krizë arsimore. Analizat treguan se ulja e natalitetit, migrimi dhe urbanizimi në disa zona rezultuan në shfrytëzim të pamjaftueshëm të hapësirës dhe stafit shkollor. Nga ana tjetër, shkollat e tjera kanë shumë nxënës dhe mungesë mësuesish, gjë që ndikon në rezultatet e të nxënit. Ministri Shaqiri është i vendosur se optimizimi i rrjetit të shkollave nuk do të jetë një proces i shpejtë, por duhet të ndodhë.
“Qeveria po punon që shpenzimet publike për arsimin si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto t'i afrohen niveleve të vendeve të zhvilluara, gjë që do të sigurojë fonde të mjaftueshme për investime në objektet shkollore dhe blerjen e mjeteve shtesë mësimore dhe arsimit gjithëpërfshirës.”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.
Di Xhovani: Pak nxënës, bashkoni shkollat
Tetëdhjetë e nëntë për qind e parave që marrin komunat për arsimin fillor janë të destinuara për mbulimin e pagave të stafit të shkollave. Nuk ka financim të mjaftueshëm për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, futjen e metodave inovative në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Ambientet e shkollës nuk mund të mirëmbahen në gjendje të mirë dhe as të pajisen.
“Do të ishte shumë më mirë që nxënësit të cilët janë mjaft të rritur për të udhëtuar vetë të udhëtonin dhe të kishin klasa të centralizuara në shkolla jo shumë larg dhe kushtet janë më të mira. Gjithashtu, shpenzimet mund të përmirësohen nëse numri i nxënësve në një klasë rritet dhe nëse disa shkolla bashkohen administrativisht.”, tha Patricia di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it.
“Për të arritur rezultatet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, vendit i duhen 26 vite, që do të thotë se çdo muaj është i rëndësishëm në zvogëlimin e këtij hendeku mes rezultateve të fëmijëve tanë dhe rezultateve të vendeve të zhvilluara.”, tha Bojana Naceva, specialiste e lartë për arsimin në Bankën Botërore.
Përmes projektit pilot, UNICEF dhe Banka Botërore do të mbështesin 10 komuna në periudhën e ardhshme. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
