Maqedoni

3 opsione për fillimin e vitit shkollor, Shaqiri: Pas 10 ditësh kumtohet qëndrimi i MASH

06.07.2023 14:49

Pas dhjetë ditësh Ministria e Arsimit do të bëjë të ditur nëse do të ketë zhvendosje në fillimin e vitit shkollor nga data standarde e 1 shtatorit...

Pas dhjetë ditësh Ministria e Arsimit do të bëjë të ditur nëse do të ketë zhvendosje në fillimin e vitit shkollor nga data standarde e 1 shtatorit. Propozimi i parë për MASH-in është që viti shkollor të fillojë si më parë  më 1 shtator, i dyti të fillojë më 11 shtator, pa pushim pranveror dhe të zgjasë deri në mes të qershorit, propozimi i tretë është të fillojë më 1 shtator me një pushim pranveror prej pesë ditësh dhe viti shkollor të përfundojë në mes të qershorit. Numri një i dikasteroit të Arsimit, Jeton  Shaqiri, bëri të ditur se javën e ardhshme do t'i paraqesë në Komisionin për resurse njerëzore tre propozimet për fillimin dhe përfundimin e vitit shkollor.
 
“Unë si Ministër do të paraqes të treja propozimet, në Komisionin e nejtë do të jenë të kyqur Unioni i nxënësve të shkollave të mesme por edhe sindikatat që të dëgjojnë anëtarët e komisionit mendimet që ata do t’i paraqesin për fillimin e vitit shkollor dhe mendoj se në një afat kohor prej dhjetë ditësh do të kemi qëndrimin përfundimtar se cili prej propozimeve do të pranohet.”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. 
 
Shpallen rezultatet e maturës shtetërore 
 
Ndërkohë nga QSHP bëjnë të ditur se janë shpallur rezultatet e maturës shtetërore, ndërsa përfundon afati për parashtrimin e ankesave nga nxënësit. Edhe Ministri Shaqiri konfirmon se QSHP duhet të vendos lidhur me ankesat e nxënësve. 
 
“Rezultatet e maturës shtetërore janë shpallur para dy ditësh dhe në procedurë e sipër janë ankesat e nxënësve dhe pas tyre mendoj se QSHP do të duhet të vendos për procedurën ankimore për nxënësit.”, tha Shaqiri.
 
Pas skandalit ku 3100 maturantë përshkruajtën në testin e gjuhës angleze nga QSHP bënë të ditur se esetë do të vlerësohen me 0 poenë, ndërsa maturantët që nuk kanë kaluar provimin do të kenë afat të dytë në muajin gusht. Vitin që vjen në bashkpunim me MASH, matura shtetërore do të realizohet në hapsira më të mëdha, në më shumë lokacione që të parandalohet mundësia për përshkrim thonë nga QSHP. 
 
FLUTURA LATIFI