Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: S’do jetë e lehtë, interese të ndryshme
06.07.2023 15:20
Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të jetë i vështirë paralajmëron kryeministri Dimitar Kovaçevski...

Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të jetë i vështirë paralajmëron kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke pasur parasysh interesat ndryshe të partive politike. Kreu i ekzekutivit shpreson që deputetët do t’i kontribuojnë procesit integrues duke shtuar dhe mbështetjen e miqve të vendit, përfshi Shqipërinë.
“E di se nuk do të jetë e lehtë pasi ekzistojnë interese dhe kalkulime të ndryshme tek të gjitha partitë politike. Disa prej tyre shohin interesin e shtetit, megjithatë, për fat të keq një pjesë e liderëve shikojnë interesin dhe rejtingun e tyre politik. Por duhet të merret vendim i guximshëm të cilin do ta mbajnë mend gjeneratat e ardhshme. Në rrugëtimin integrues, mund të konsiderojmë në mbështetjen e miqve, dhe këtu para se gjithash do të numroj kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Rama: Kemi nevojë për mbështetjen europiane
Kryeministri Edi Rama konsideron se shtetet kandidate karahas përmbushjes së obligimeve do të duhet të kenë dhe mbështetje financiare nga BE. Rama paralajmëroi mbajtjen e takimit jo formal së shpejti në Tiranë, bashkë me miq europian, për të diskutuar konkretisht mbi planin që do të siguronte mbështetje financiare ndaj vendeve kandidate.
“Na duhet ky plan, na duhet kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Europës, që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat, sepse detyrat ne duhet dhe do t’i bëjmë për vete, por edhe si ata që kontribuojnë. Sot si asnjëherë më shumë tjetër në këndvështrimin tim është e qartë që BE ka nevojë për ne sa që kemi ne nevojë për BE-në.”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Tetori është afati përfundimtar kur Maqedonia e Veriut do të duhet të përmbyll ndryshimet kushtetuese. Aktualisht amendamentet mbahen në Qeveri dhe pritet momenti adekuat të kalohen në Kuvend, pas kundërshtimit të VMRO-së se s’do mbështesin vendime të diktuara nga Bullgaria. (Meral Ismaili, TVM2)
