Nga Shkupi, Rama i’a përkujton kanunin Kurtit: Edhe hasmi po të vije në shpi, i hapet dera
Turin ballkanik, kryeministri shqiptar Edi Rama...

Turin ballkanik, kryeministri shqiptar Edi Rama e nisi nga Shkupi, por interesimi dukshëm i madh i opinionit ishte për çështjen e situatës në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Këto çështje duhet të zgjidhen mes shqiptarësh, tha shkurt Rama duke refuzuar të jep më shumë detaje para vizitës së tij në Prishtinë gjatë pasdites.
Për sa i përket mos-konfirmimit të takimit nga ana e Kurtit, Rama shfrytëzoi këtë rast për t’ia përkujtuar kryeministrit kosovar rregullat e Kanunit.
“Unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar kanunin, që kur të vie në shpi edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën” – u shpreh Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Situata në Veri të Kosovës, Kovaçevski: Palët të lënë anësh të shkuarën
Thirrje për zbutjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, bëri edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Sipas tij, funksionarët shtetëror duhet të sillen me përgjegjësi dhe të lënë pas të shkuarën, por të përqëndrohen drejtë së ardhmes.
“Si fqinjë i ndërmjem mes Kosovës dhe Serbisë, bëjmë thirrje për de-eskalim të situatës dhe zbatim të detyrimeve ndërkombëtare të ndërmarra, gjegjësisht në zbatimin e marrëveshjes të cilën Kosova dhe Serbia e arritën më 27 shkurt në Bruksel dhe marrëveshjen e arritur në Ohër për rrugën e normalizimit të raporteve. E di se ky është proces që përfshin vendime që duhet t’i ndërmarrin shtetet, por funksionarët duhet të sillen si shtetëror dhe të guximshëm dhe të jenë të vendosur në zgjidhjen e problemeve të hapura.” – deklaroi Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Përndryshe, Rama gjatë këtyre dy ditëve do të vizitojë vendet e Ballkanit Perendimor, si Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali I zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi. (Ersan Pajaziti, TVM2)
