Osmani takon Ramën, në fokush ishte Samiti i NATO-s dhe procesi i Berlinit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani....

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë diskutuar për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të Kosovës.
Po ashtu në takim është diskutuar edhe për samitin e NATO-s, i cili pritet të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë dhe për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti.
Presidentja Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë.
Në raport me situatën e sigurisë në veri, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
“Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë”, thuhet në njoftimin për media, pasi pas takimit nuk pati konferencë për media.
Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, është biseduar për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces. Ndërkohë, sa i përket Samitit të NATO-s, presidentja e ka falënderuar Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ka ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, “si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon”.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama thuhet se janë dakorduar që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
