Zyrtare: Arda Guler në Real Madrid
Real Madridi ka njoftuar transferimin e katërt...

Real Madridi ka njoftuar transferimin e katërt në afatin kalimtar të verës, pasi ka arritur marrëveshje me të shumë kërkuarin, Arda Guler nga Fenerbahce. 18-vjeçari i shkëlqyeshëm kishte qenë në radarët e disa klubeve të mëdha, përfshirë Barcelonën këtë verë. Madje për një kohë u duk se adoleshenti do të shkonte drejt Katalonjës. Megjithatë, disa lëvizje të vona nga Real Madridi e bindën Gulerin të pranonte të transferohej në kryeqytetin spanjoll.
“Real Madrid C. F. dhe Fenerbahçe SK kanë rënë dakord për transferimin e lojtarit Arda Güler, i cili do të jetë i lidhur me klubin tonë për gjashtë sezonet e ardhshme”, thuhet në deklaratën zyrtare. “Prezantimi i Arda Güler si lojtar i ri i Real Madridit do të bëhet nesër, e premte 7 korrik, në orën 12:00 në Ciudad Real Madrid. Arda Güler më pas do të dalë para mediave.” thuhet në komunikatën zyrtare të madrilenëve.
Vetëm 18 vjeç, Guler kishte bërë paraqitje fantastike me Fenerbahçen, madje edhe duke u futur në kombëtaren turke. Siç thuhet në deklaratë, Guler ka nënshkruar kontratë gjashtëvjeçare me Real Madridin. Merengët besohet se kanë shpenzuar një shumë prej 20 milionë euro për të nënshkruar me 18-vjeçarin, duke përfshirë gjithashtu një klauzolë shitjeje prej 20% në të ardhmen.
