Masat e BE-së ndaj Kosovës, 13 deputetë zviceran kritikojnë qasjen e BE-së

07.07.2023 14:15

Me anë të një letre të nënshkruar nga 13 deputetë zvicerian...

Me anë të një letre të nënshkruar nga 13 deputetë zvicerian, drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kritikohet ashpër qasja e BE-së ndaj tensioneve të fundit në veriun e Kosovës.

Në letër kritikohet siç thuhet qëndrimi i pabalancuar i Komisionit Evropian përkatësisht Lajçkut e Borrellit, shkruan parlamentari zviceran Cedric Wermuth në Twitter, i cili në postim e etiketoi edhe Ministrinë e Jashtme të Zvicrës.

“Masat shtesë të një-anshme kundër Republikës së Kosovës që u paralajmëruan javën e kaluar na shkaktuan habi të madhe. Ato nuk janë në asnjë mënyrë një kontribut për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë apo për zgjidhjen e konfliktit. Me këtë politikë arbitrare, ndaj Republikës së Kosovës dhe me thirrjen e menjëhershme drejtuar qeverisë, BE-ja po e pengon qëndrimin e saj të qartë në Ukrainë. Ai po godet me thikë në shpinë pikërisht qeverinë në Ballkanin Perëndimor, e cila ndoshta është më e vendosur në anën e Ukrainës dhe demokracisë evropiane”, thuhet në letrën e parlamentarëve të Zvicrës.

Ata njëherit kërkojnë nga presidentja Ursula von der Leyen, të rishikohen masat e shpallura nga Bashkimi Evropian. Masat e BE-së erdhën pasi kryetarët shqiptarë të komunave në veri u vendosën në objektet komunale, që shkaktuan protesta të dhunshme nga serbët, të cilët paraprakisht të nxitur nga Serbia bojkotuan zgjedhjet. BE dhe SHBA me qëllim të shtensionimit të situatës po insistojnë që të tërhiqet policia e Kosovës e cila siguron objektet komunale, ndërsa deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme, kryetarët aktual të komunave në veri, ti kryejnë obligimet nga objekte tjera.

Por qeveria e Kosovës thot se po zbaton kushtetutën dhe ligjin, si dhe po lufton bandat kriminale atje dhe si dëshmi ka prezentuar kapjen e armëve dhe arrestimet e disa kriminelëve të njohur në pjesën veriore. (Gyltene Sinani, TVM2)