“Ethet” e merkatos prekin Seferin, Cikalleshin dhe Brojën
07.07.2023 16:43
Nga Seferi, te Cikalleshi dhe Broja, thuajse i gjithë sulmi i kombëtares së Shqipërisë është përfshirë nga ethet e merkatos...

Nga Seferi, te Cikalleshi dhe Broja, thuajse i gjithë sulmi i kombëtares së Shqipërisë është përfshirë nga ethet e merkatos. Paraqitja e shkëlqyer me Vorskla Poltavën, ku realizoi 13 gola në sezonin e fundit ka tërhequr vëmendjen e nënkampionëve të Ukrainës.
Dnipro ka vendosur Taulant Seferin në krye të listës së blerjeve, madje është gati të shpenzojë 1 milion euro për të marrë shërbimet e sulmuesit kuqezi. Kjo do të thotë se vlera e 26-vjeçarit është dyfishuar, pasi në verën e vitit 2022 ai u largua nga Tirana drejt Vorskla Poltava për 500 mijë euro.
Sokol Cikalleshi
Pak më e ndryshme është situata për Sokol Cikalleshin. Sulmuesi mbylli periudhën e huazimit me skuadrën e Al Kalezh në Arabinë Saudite. Futbollisti 32-vjeçar kthehet te Koniaspor në Turqi, skuadër kjo që ka edhe pronësinë e kartonit të tij. Drejtuesit e klubit I kanë bërë të ditur sulmuesit se është pjesë e projektit për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që ai mund të ndryshojë ambient në rast të një oferte të rëndësishme.
Armando Broja
E gjitha për t’u vendosur është e ardhmja e Armando Brojës. I kthyer pas një dëmtimi të rëndë, sulmuesi është bashkuar me skuadrën e parë të Chelsea që në ditën e parë të stërvitjes me trajnerin e ri Mauricio Pochettino. Po ashtu, 21-vjeçari do të udhëtojë me Blutë e Londrës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fazën përgatitore. Ky është një muaj i rëndësishëm, pasi ka shansin të tregojë klasin e tij. Vetëm pas rikthimit në Londër, Pochettino do të vendosë nëse do të mbajë në skuadër Brojën, që sipas mediave angleze ka shumë simpatizues në Premier League.
