Maqedoni

Takimi Osmani-Escobar, në fokus situata aktuale në Ballkanin Perëdimor

08.07.2023 19:28

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot u takua me Gabriel Eskobarin...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot u takua me Gabriel Eskobarin, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
 
Në fokus të bisedimeve ishte situata aktuale në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës Osmani e brifoi përfaqësuesin e lartë amerikan për Planin 9-pikësh për deeskalimin e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin e ka iniciuar në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së.
 
Njëherit, u diskutua nevoja për përshpejtimin e proceseve integruese europiane të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të rajonit si qëllim strategjik i përbashkët.
 
“Procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian paraqet çështje sigurie dhe për këtë arsye përshpejtimi i proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie kyçe për ruajtjen e stabilitetit në rajonin tonë, por edhe në Europë si tërësi. E vlerësojmë lart mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së në atë drejtim, që është interes i përbashkët strategjik, por edhe garanci për kufizimin e ndikimit të palëve të treta”, ka theksuar Osmani.
 
Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të Dialogut Strategjik, si dhe për mbështetjen e përgjithshme për forcimin e institucioneve demokratike, përparimin në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
 
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Dubrovnikut, pati takim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Maria Gabriel. Theks i veçantë në bisedime u vu në perspektivën europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kontekstin e momentumit të ri integrues të krijuar në kuadër të Unionit.