Policia njofton se janë ndaluar disa persona në protestën e mbrëmshme nga ana e të punësuarve në NP “Higjiena komunale”

10.07.2023 10:00

Edhe mbrëmë kanë protestuar të punësuarit...

Edhe mbrëmë kanë protestuar të punësuarit pranë Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale” në Shkup. Madje në protestën e mbrëmshme situate kishte eskaluar, e ku si rezultat disa persona ishin ndaluar nga Policia.

Nga MPB, thonë se të njëjtit edhe do të sanksionohen.

“Më datë 09.07.2023 rreth orës 22.00 në Stacionin Policor në Gazi Babë është denoncuar se të punësuarit mbajnë protestë, kurse mes tyre ka edhe persona që nuk janë të punësuar në ndërmarrje. Nëpunësit policorë menjëherë kanë dalë në terren, ku është konstatuar se rreth 50 persona janë duke protestuar dhe pengojnë kryerjen e punës. Me intervenim policor veturat për grumbullimin e mbeturinave, kanë dalë nga kapia, kurse personat të cilët nuk janë të punësuar në ndërmarrje, kurse janë kapur në rrethinën e ndërmarrjes, do të përballen me sanksione të parapara me Ligj”, thanë nga MPB.