Botë
Në prag të samitit të NATO-s pretendohet se Ukraina nuk është gati për hyrje
10.07.2023 16:30
Presidenti amerikan mbërriti në Londër, në rendin e ditës janë bisedimet me mbretin Charles III...

Presidenti amerikan mbërriti në Londër, në rendin e ditës janë bisedimet me mbretin Charles III për ndryshimet klimatike dhe mjedisin jetësor, ndërsa me kryeministrin Rishi Sunak, tema kryesore është lufta në Ukrainë. Britania dhe Kanadaja kanë shprehur më parë shqetësimin për vendimin e SHBA për të furnizuar Kievin me bomba thërrmuese. Edhe Spanja e kundërshtoi këtë plan.
“Është nder të të kem si mysafir këtu në Downing Street. E di që keni qenë disa herë mysafir këtu, por kjo është hera juaj e parë si president.”, tha kryeministri i britanisë së madhe, Rishi Sunak.
“Kemi shumë tema për të diskutuar. Mendoj se po bëjmë përparim në marrëdhëniet tona.”, tha president i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Në prag të samitit të NATO-s në Vilnius, po bëhen gjithnjë e më të forta pretendimet se Ukraina nuk është gati për anëtarësim në Aleancë.
Dje, Kievi përdori tre raketa në një përpjekje për të sulmuar urën e Krimesë, pretendon Moska. Forcat ruse po mobilizohen në një përpjekje për të zbuluar vendndodhjet e raketave ukrainase dhe për t'u hakmarrë, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
“Ne do të mbajmë sistemet e mbrojtjes ajrore në gatishmëri të vazhdueshme për të mbuluar objektet më të rëndësishme të infrastrukturës dhe ndërmarrjet industriale të vendosura brenda rrezes së raketave armike dhe, nëse është e nevojshme, do të merren masa shtesë sa më shpejt të jetë e mundur për t'u mbrojtur nga sulmet ajrore.”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov.
Moska e akuzon rregullisht Ukrainën për sulme ndaj objektivave në Rusi. Kievi e mohon atë, duke thënë se po zhvillon një luftë mbrojtëse në territorin e tij. Betejat intensive vazhdojnë në lindje dhe jug të vendit. Forcat ukrainase regjistruan një përparim në krahun jugor të qytetit lindor Bakhmut.
SEDAT SELIMI
