Maqedoni

Gjendja me Higjienën Komunale, në Shkup vazhdon pastrimi i mbeturinave

11.07.2023 15:50

Punonjësit e “Higjiena Komunale” janë rikthyer në punë dhe kanë mbledhur mbetjet nga kontejnerët...

Punonjësit e “Higjiena Komunale” janë rikthyer në punë dhe kanë mbledhur mbetjet nga kontejnerët në një pjesë të madhe të qytetit, por gjithsesi duket se duhet më shumë kohë. Në disa prej zonave të banuara kontejnerët janë ende plot, kurse në disa pjesë tjera edhe pse kontejnerët janë zbrazur, rreth tyre ka mbeturina. Qytetarët thonë se lajm i mirë është ajo që ka filluar pastrimi, por apelojnë që përveç mbledhjes së mbeturinave, të lahen kontejnerët. 
 
“Tani është më mirë. Janë hequr mbeturinat, megjithatë nuk është larë. Duhet që të lahet, edhe kontejnerët duhet të lahen.”, u shpreh një qytetar.
 
“Filluan të pastrojnë, por ishte tmerr. Nuk kalohej prej erës së keqe të mbeturinave.”, tha një qytetar.
 
“Nuk mundet të pastrohet e tëra aq shpejt, janë duke pastruar, por do të duhet kohë.”, u shpreh një qytetar.
 
Përderisa në kryeqytet kundërmon erë e keqe, partite politike i hedhin fajin njëra tjetrës për gjendjen me mbeturinat. VMRO-DPMNE kërkon që Arsovska të japë dorëheqje, kurse sipas LSDM-së përgjegjësia është e kuadrit të Mickoskit. 
 
Arsovska: Institucionet të pastrohen nga ushtarët partiak
 
Ndërkohë, kryetarja e qytetit të Shkupit për Servisin Publik tha se partitë në vend që të drejtojnë gishtin diku tjetër, të mbajnë përgjegjësi për vete. Ajo tha se insititucionet duhet të pastrohen nga “ushtarët partiak” të cilët nuk shkojnë në punë.
 
“Të gjithë ata njerëz të cilët janë të ndershëm, të vlefshëm, të cilët punojnë, të mund të punojnë punën e tyre dhe të mos jenë të demotivuar nga të gjithë ata ushtarë partiak të cilët kanë qenë brenda dhe të cilët vetëm kanë marrur rrogat dhe nuk kanë shkuar në vendet e tyre të punës. Ky është një faktor shtesë demotivues te secili që punon kur sheh se dikush paguhet, e aspak n uk paraqitet në vendin e punës. Ky është një keqpërdorim klasik i parave të popullit dhe duhet të pastrohet.”, tha kryetarja e qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
 
Ganiu: Në Çair po pastrohen mbeturinat
 
Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu thekson se pret normalizim të shpejtë të situatës. 
 
“Janë duke pastruar dhe duke I larguar mbeturinat, por mendoj që deri në mbrëmje që do ta vendosim edhe Çairin nën kontroll dhe pastaj të fillon orari I përditshlm të cilën e zbaton Higjiena Komunale në komunën e Çairit.”, tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Spasovski për Higjienën Komunale: Do të ketë sanksione nesë ka pasur keqpërdorime 
 
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski tha se nëse vërtetohet se dikush ka kontribuar që kryeqyteti të vijë në këtë gjendje si pasojë e mos-mbledhjes së mbeturinave, do të ketë përgjegjësi penale. Gjithashtu tha se do të sanksionohen personat të cilët janë punësuar në këtë ndërmarrje e të cilët nuk kanë shkuar në vendin e punës. 
 
“Nëse ka pasur palidhëshmëri në punë, nëse ka pasur dhënie të rrogave personave që kanë qenë me marrëveshje të punësuar dhe nuk kanë ardhur në punë dhe janë keqpërdorur mjete financiare, gjithsecili për këtë punë do të mbajë përgjegjësi. Këtu nuk do të tërhiqemi, mendoj se kjo duhet të sanksionohet që përfundimisht t’i jepet fund politikës dhe lojërave që bëhen në kurriz të qytetarëve, ndërsa këtu është në kurrizin e shëndetit të qytetarëve.”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Pas bllokadës treditore, punonjësit e “Higjiena Komunale” thanë se punëtorët do të mbledhin plehrat për tu dalur në ndihmë qytetarëve dhe do të vazhdojnë të kërkojnë institucionalisht të drejtat e tyre. Pas eskalimit të situatës, kryetarët e Shkupit propozojnë që secila komunë të ketë kompaninë e saj që do të kujdeset për higjienën.
 
ERSAN PAJAZITI