Botë

Prishtinë: Tre të arrestuar nën dyshimin për terorizëm

28.02.2015 18:00

Nën dyshimin për veprën penale terorizëm Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në rajonin e Gjilanit dhe Prishtinës...

Bëhet fjalë për Hoxhë Hajrullah Aliun , imam në xhaminë e fshatit Verbicë të Gjilanit, Dardan Keqeli, 23 vjeç, dhe Kastriot Halimi 22 vjeç.
 
Në njoftimin e policisë thuhet se të tre personat janë arrestuar “nën dyshimin se kanë kryer vepra penale të terrorizmit, përkatësisht, lehtësimin e kryerjes së terrorizmit, rekrutimin për terrorizëm, shtytjen për kryerjen e veprave terroriste, organizimin dhe pjesëmarrjen në grup terrorist dhe financimin e terrorizmit”.
 
Gjatë operacionit, si prova materiale, janë konfiskuar dokumente të ndryshme dhe disa pajisje elektronike.
 
Ditë më parë ministri i brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni tha se rreth 300 shtetas të Kosovës mund të kenë shkuar në luftërat e Irakut dhe të Sirisë, ndërsa autoritetet kanë arrestuar 150 luftëtarë, nxitës dhe rekrutues të ushtarëve për në luftërat e huaja.
 
Mbi 20 qytetarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në luftërat në lindjen e mesme.
 
Më 23 janar, parlamenti i Kosovës me 74 vota për dhe 12 kundër, miratoi në parim projektligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit.
 
Projektligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.