Botë

Srebrenica, 28 vjet nga gjenocidi, nderim për viktimat

11.07.2023 16:49

E keqja e Srebrenicës nuk duhet të përsëritet kurrë dhe as të lejohet të harrohet....

E keqja e Srebrenicës nuk duhet të përsëritet kurrë dhe as të lejohet të harrohet. Rajoni dhe bota po kujtojnë gjenocidin 28 vjet më parë, kur 8,000 burra, djemë, fëmijë boshnjakë u vranë brutalisht nga ushtarët serbë në luftën ndëretnike 1992-1995.
 
“Ky ishte një nga gjenocidet më brutale. Unë jam nënë, imagjinoni si është jeta e nënave në Srebrenicë. As që mund ta imagjinoj se çfarë kanë vuajtur të dashurit e tyre, çfarë feri, torturash. Ne duhet t'i sjellim fëmijët tanë këtu për të mësuar historinë e tyre.”, tha Samira Baltiç.
 
Në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit, 28 vjet më vonë, eshtrat e 30 burrave dhe adoleshentëve iu dha prehja e përjetshme, duke iu bashkuar më shumë se 6,600 viktimave. Rreth 1000 viktima janë ende duke u kërkuar.
 
“Një fotografi është e vetmja gjë që më ka mbetur nga babai im. Kaq kam. Por unë kam dashurinë për të në zemrën time. Ai ende jeton në ne, do të jetojë sa të jemi gjallë.”, tha Selma Ramiç.
 
“Unë jam nënë, kujdesem për fëmijën tim, për të ardhmen e tij. Nuk mund ta imagjinoj se si nënat e Srebrenicës jetojnë me dhimbjen e tyre.”, tha Jenana Mehmedoviç.
 
Për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë në korrik 1995, Gjykata e Hagës dhe gjykatat në BiH, Serbi dhe Kroaci deri më tani kanë dënuar 47 persona me më shumë se 700 vjet burg.
 
“Një numër i madh kriminelësh janë të lirë. Në Srebrenicë, uniformat e atyre që vranë fëmijët tanë janë ende të veshura dhe ka ende një numër të madh të mohuesve të gjenocidit. Ende në Srebrenicë, në entitetin Republika Srpska, Ratko Mlladiç, Karaxhiç dhe të gjithë kriminelët e tjerë janë heronj të mëdhenj.”, tha kryetarja e organizatës “Nënat e Srebrenicës”, Munira Subasiç.
 
Gjenocidi në Srebrenicë është një nga faqet më të errëta të historisë evropiane dhe Evropa kujton përgjegjësinë dhe dështimin e saj për të mbrojtur viktimat, theksoi në një deklaratë të përbashkët shefi i politikës së sigurisë evropiane Borrell dhe komisioneri i Zgjerimit Varhej.
 
SEDAT SELIMI