Maqedoni
Prokuroria ka përfunduar mbikëqyrja e 30 rasteve të Merkos
11.07.2023 17:45
Komisioni i Prokurorisë Publike Republikane ka përfunduar mbikëqyrjen e jashtëzakonshme të punës së Prokurorisë së Strugës...

Komisioni i Prokurorisë Publike Republikane ka përfunduar mbikëqyrjen e jashtëzakonshme të punës së Prokurorisë së Strugës, Prokurorisë së Lartë të Manastirit dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për rastet kundër kryetarit të Komunës së Strugës Ramiz Merko. Është bërë inspektim në rreth 30 lëndë të depozituara, nga të cilat procedurat më të vjetra të kryera datojnë në vitin 2006. Prokuroria e Strugës është duke trajtuar katër raste kundër Merkos, si dhe dy të tjera në hetimin paraprak nga viti 2021. Për katër raste të tjera, dy nga viti 2019 dhe 2022, prokurorët që kanë marrë masa kanë marrë indikacione dhe udhëzime për përshpejtimin e procedurës.
Prokuroria e Lartë Publike e Manastirit ka marrë udhëzime në periudhën në vijim që të kryejë kontrolle më të shpeshta dhe të monitorojë procedurat në të gjitha rastet ndaj personave të përzgjedhur dhe të emëruar në prokuroritë publike themelore, në kuadër të juridiksionit të saj. Prokuroria për ndjekjen e krimit është duke punuar në 5 raste, ndër të cilat është edhe blerja e kontestuar e veturave zyrtare në komunën e Strugës.
“Gjatë mbikëqyrjes, anëtarët e komisionit kanë pasur biseda të drejtpërdrejta edhe me prokurorët publikë, të cilët janë pyetur se a kanë pasur presione në veprimet e tyre dhe nëse janë përballur me probleme gjatë zhvillimit të procedurës. Anëtarët e komisionit apeluan prokurorët publikë kompetentë për shpejtësi më të madhe dhe i inkurajuan që të raportojnë çdo tentativë për kompromentimin e procedurave të zhvilluara në prokuroritë publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Prokurori publik Joveski do të iniciojë edhe takime me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë Financiare dhe organet dhe institucionet tjera kompetente për aktivizimin e frontit kombëtar për luftë kundër korrupsionit.
“Në këtë proces presim mbështetjen e opinionit, por edhe të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që ndjekin punën tonë. Nuk ka tolerancë për asnjë formë krimi dhe nuk do të ketë”, thonë nga Prokuroria Publike.
Kryetari i Komunës së Strugës 20 ditë më parë është futur në “listën e zezë” të SHBA-së, për shkak të korrupsionit dhe ndërhyrjeve në proceset gjyqësore.
FITIM KRYEZIU
