Maqedoni
Arsovska gjobit kryetarin e Kisella Vodës, Gjorgjievski: Dënimi nuk ka bazë
12.07.2023 14:57
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e ka dënuar me 90 mijë euro gjobë kryetarin e Komunës së Kisella Vodës....

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e ka dënuar me 90 mijë euro gjobë kryetarin e Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski për hedhjen e mbeturinave para portave të deponisë “Drislla”. Por kryetari i komunës së Kisella Vodës shprehet decid se nuk do të paguajë as edhe një denarë për dënimin e shqiptuar nga Qyteti i Shkupit. Sipas tij, për këtë dënim nuk ka bazë ligjore për shkak se mbeturinat janë hedhur para një objekti që ndodhet në territorin e Komunës së Studeniçanit, e jo në territorin e qytetin e Shkupit. Madje, Gjorgjievski thotë se ka vendim që nga viti 2005 me të cilin lejohet që të gjithë komunat të deponojnë mbetjet në Drislla.
“Se po gënjejnë se nuk kemi pasur marrëveshje, dua t'ua paraqes faturat që kanë ardhur në komunën e Kisella Vodës, edhe atë disa ditë para javës kur na kanë penguar t'i hedhim mbeturinat në NP “Drisla”. Faturat e dërguara nga NP Drisla në komunën e Kisella Vodës me shënime peshimi në të cilat mund të shënohet pesha e mbeturinave me të cilat është bërë hyrje dhe për të njëjtën është hartuar fatura. Që do të thotë një tjetër përgënjeshtrim i gënjeshtrave të Danela Arsovskës dhe atyre pak bashkëpunëtorëve të saj që po përpiqen të mashtrojnë opinionin me manipulime.”, tha kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjeorgjievski.
Me NP “Drislla” menaxhon Qyteti i Shkupit
Nga Qyteti i Shkupit reagojnë duke thënë se as kryetari i komunës së Kisella Vodës as ekipi i tij nuk kanë njohuri elementare, pasi me pronën e NP “Drislla” menaxhon Qyteti i Shkupit. Gjithashtu përgënjestrojnë se komuna e Kisella Vodës ka marrëveshje për derdhjen e mbeturinave në Drislla.
“Komuna e Kisella Vodës nuk ka asnjë kontratë me Drisllën, përkundrazi kërkesa për lidhjen e kontratës është dërguar në JP Drisla dje më 11.07.2023. Kompania “Anizor” ka kontratë, e cila është angazhuar me tender nga komuna e Kisella Vodës, për deponimin e mbeturinave në NP “Drisla”, me të cilën asnjëherë nuk ka pasur problem.”, thuhet në reagimin e Qytetit të Shkupit.
LSDM: VMRO-DPMNE fajtor për gjendjen në Shkup
Për gjendjen në kryeqytet nga LSDM fajësojnë VMRO-DPOMNE-në dhe liderin e saj Hristijan Mickoski. Nga LSDM përkujtojnë se pikërisht VMRO kërkonte vota për të bërë Shkupin modern, por e shndërroi në një vend të papastër dhe të mbushur me mbeturina.
“Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, Hristijan Mickoski së bashku me të gjithë kryetarët e komunave të DPMNE-së në Shkup, kërkuan mbështetje nga qytetarët dhe premtuan një Shkup modern. Në vend të modernes, Mickoski dhe DPMNE Shkupi e shndërruan atë në një deponi të madhe. Shkupi prej ditësh po mbytet në mbeturina, në papastërti, në erë të keqe, duke i ekspozuar qytetarët para rrezikut serioz të shfaqjes dhe përhapjes së infeksioneve, veçanërisht në ditët e nxehta, për të cilat kemi marrë paralajmërime nga një numër i madh i mjekëve dhe profesionistëve.”, tha Gordan Shutarov, këshilltar në qytetin e Shkupit nga LSDM.
Ndërkohë, punëtorët e “Higjienës Komunale” po vazhdojnë të pastrojnë mbeturinat e mbledhura nëpër Qytetin e Shkupit. Përndryshe gjendja me mbeturinat eskaloi pasi punonjësit e “Higjiena Komunale” protestuan për tre ditë duke pamundësuar mbledhjen e mbeturinave. Pas kësaj bllokade punëtorët u rikhyen përsëri në punë, kurse thanë se të drejtat e tyre do të vazhdojnë ti kërkojnë në mënyrë institucionale.
ERSAN PAJAZITI
