Botë
Mbledhja e Qytetit të Shkupit për mbeturinat, këshilltarët akuzojnë Arsovskën për mosprezencë
13.07.2023 15:00
Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit...

Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit nuk u paraqitën as kryetarja Danela Arsovska, e as drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva-Nikoliq, ndërsa kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, deklaroi se nuk ka marrë njoftim nga Arsovska se ajo nuk do të jetë e pranishme në këtë seancë.
Nga LSDM dhe VMRO-DPMNE shprehën pakënaqësi, sepse nuk kanë ku t'i adresojë vërejtjet e tyre për kaosin komunal në qytet, për shkak të mungesës së personave përgjegjës.
“Përsëri heshtje dhe përsëri sjellje injoruese kundrejt institucionit Këshilli i Qytetit të Shkupit. Por, kjo nuk do të thotë se ne si këshilltarë nuk jemi përgjegjës, ashtu siç është e papërgjegjshme kryetarja e qytetit Danella Arsovska. Ajo përveç se e ka bllokuar qytetin e Shkupit, si me transportin publik, si me llogarinë e bllokuar, tani e ka mbuluar me mbeturina. Në vijim çfarë duhet të presim, të mbetemi pa ujë.”, - deklaroi këshilltarja e LSDM-së në Qytetit të Shkupit, Ljubica Jançeva.
“Ne këtu nuk kemi me kë të debatojmë dhe kjo është tejet joserioze, ju kam lutur që të ndërhyni për t’i thirrur edhe një herë që të vijnë, sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për momentin përveç nëse ju rrezikohet gjendja shëndetësore. Ky do të ishte i vetmi arsyetim për të mos qenë sot këtu, nuk ka gjë më të rëndësishme se të jemi sot këtu dhe të debatojmë, neve na ndodhin probleme, jo vetëm neve, por edhe qytetarëve të Shkupit. Sot është ky problem, nesër do të jetë diçka tjetër.”, - theksoi këshilltarja e VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit, Marija Andonovska.
Këshilltarët e LSDM-së e kanë dënuar edhe procedurën e drejtorit të ndërmarrjes publike “Drislla”, i cili nuk ka lejuar që kryetarët e Kisella Vodës dhe Aerodromit t’i hedhin mbeturinat në deponi. Ndryshe, ky nuk është rasti i parë i mungesës së kryetares Arsovska në seancat e Këshillit të Qytetit të Shkupit. Në të kaluarën ajo i shmangej edhe seancat që ishin të destinuara për pyetjet e këshilltarëve.
GAZMEND KURTISHI
