Maqedoni

Në Shkup vjen mesazhi nga BE-ja: Përfundoni ndryshimet kushtetuese

13.07.2023 15:27

Sa më shpejtë që Maqedonia e Veriut t’i miratojë ndryshimet kushtetuese...

Sa më shpejtë që Maqedonia e Veriut t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, aq më shpejtë do të integrohet në BE. Kjo ishte porosia e ministrave të jashtëm të Austrisë , Çekisë dhe Sllovakisë që ua përcollën përfaqësuesve politik në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borell. 
 
Ata theksuan se nga të gjitha partitë politike kanë marrë sinjale të qarta se janë për vazhdimin e rrugës euro-integruese të vendit. Apeluan që vendi të vazhdojë me obligimet e propozimit francez dhe të mos rrëzohet në sfidën e fundit pas gjithë asaj aspirate për integrim. Ripotencohet se zgjidhja e krizës duhet të vijë brenda shtetit pa ndërhyrjen e asnjë faktori të jashtëm.
 
“Këtu nuk jemi për t’u përzier në punët e brendshme, ne nuk moralizojmë. Zgjedhja duhet të dalë vetëm nga Shkupi, duhet të dalë nga populli maqedonas. Nuk mund të vijë nga Vjena, Brukseli, Bratisllava apo Praga. Besoj që rruga ia vlen dhe mezi presim që gjuha, kultura maqedonase të jenë pjesë e gjuhës, kulturës, historisë së BE-së në të gjithë llojllojshmërinë e saj.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Austrisë, Aleksander Shalenberg. 
 
“Jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. I kemi të qarta qëndrimet edhe të opozitës edhe të pushtetit, i dëgjuam komentet dhe brengat e tyre. Megjithatë, asnjëherë nuk do të ketë situatë më të volitshme për integrim të Maqedonisë së Veriut në BE se sa është tani.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavski. 
 
Gjatë takimeve ministrat evropian e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre edhe për sa i përket kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme. 
 
“Me palët e prekura i potencuam këto momente të lidhura me politikën e brendshme dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, do të ishin shumë kundër-produktive dhe të gjithë liderët duhet të kenë konsensus në lidhje me këto çështje.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Vllahovski. 
 
Osmani për ndryshimet kushtetuese: T’i shmangemi gabimit historik, është në dorën tonë
 
Paraprakisht, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, gjatë takimit me tre ministrat kërkoi që t’i shmangemi gabimit historik, t’i implementojmë ndryshimet kushtetuese dhe mos ndahemi siç tha ai nga “korsia për aderim të shpejtë në BE”.
 
“Për herë të parë na është dhënë çelësi  që vet t’i hapim kapitujt dhe klasterët dhe në mënyrë të suksesshme ta vazhdojmë procesin e negociatave. Por, nga ana tjetër ballafaqohemi me  rezistencën e imponuar  nga disa përfaqësues të opozitës, do të thoja rezistencë iracionale, për shkak se ndryshimet kushtetuese  që i morëm si obligim ta implementojmë, aspak nuk e ndryshojnë rendin tonë kushtetues.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
Kryediplomatët gjithashtu takuan kreun e opozitës Hristijan Mickoski, grupet parlamentare, kreun e Kuvendit Xhaferi dhe presidentin Pendarovski. 
 
ERSAN PAJAZITI