Botë

Përleshje në Kuvendin e Kosovës, sulmohet kryeministri Kurti

13.07.2023 15:49

Gjithçka filloi me elaborimin e kryeministrit Albin Kurti para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës...

Gjithçka filloi me elaborimin e kryeministrit Albin Kurti para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku ky i fundit ishte duke shpjeguar gjendjen dhe vendimet e Qeverisë për në Veri të Kosovës.
 
Por, kjo si duket nuk i pëlqeu deputetëve të PDK-së, të cilët më shumë dëshironin të dëgjonin nga kryeministri Kurti për skandalin e përgjimeve të shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, me Listën Serbe.
 
Fillimisht, reagimi i deputetëve të PDK-së filloi në momentin kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një fotomontazh në foltore të kryeministrit me hundë të zgjatur, të cilën menjëherë e hoqi dhe e grisi Besnik Bislimi, gjë që shkaktoi reagim të deputetëve tjerë të opozitës. Në këto momente fillimisht afër foltores u ofrua për ta lagur me ujë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
 
Por, këtu reagoi ministri Hekuran Murati, duke u përpjekur që ta mbronte Kurtin me një fashikull, e Lushtaku iu kthye për ta lagur edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili pastaj e gjuajti në fytyrë me shishe të ujit.
 
Por, aty ndërhynë edhe shumë deputet tjerë e ku në një moment shihet kur deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, duke e goditur ministrin e Financave, Hekuran Murati. Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka kërkuar ndërhyrjen e sigurimit të Kuvendit për ta qetësuar situatën, teksa punimet e Kuvendit janë ndërprerë.
 
Pas përleshjes në Kuvend, me reagim ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e cila këtë sulm e ka cilësuar si sulm të koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë.
 
“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetutshmërisë në Republikë. Sot në Kuvendin e Kosovës, dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht. Deputetët e PDK-së sulmuan kryeministrin me grushte, si një bandë rrugaçësh. Ky sulm po bëhet ndaj Qeverisë së parë të Kosovës, e cila nuk e ka asnjë ministër apo zëvendësministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por, Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla.”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
 
Ka reaguar ndërkohë edhe Partia Demokratike e Kosovës, ku në mes tjerash kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. 
 
“Sikur të mos u mjaftonte fyerja që i bënë shtetit të Kosovës, veteranëve të UÇK-së, aktorëve politik shqiptarë, popullit të Kosovës, para shërbëtorëve të Radojçiqit, sot, në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në vend që të ndihej i turpëruar dhe të jepte llogari për përgjimet, provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore. Ishte pikërisht zëvendëskryeministri Bislimi, i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat “qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një qeveri kredibile, e cila do ta kthejë vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik.”, - thuhet në reagimin e PDK-së.
 
Ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Edi Rama, i cili në rrjetin Twiter ka thënë se “ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten”.
 
“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!”, shkruan Rama në Twiter.
 
Kurse, nga ana tjetër jashtë pallatit të Kuvendit, Partia Socialdemokrate (PSD) është përleshur fizikisht me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku po shënonin në automjetet zyrtare slloganin “Veç 2-3 minuta”. Ky aksion erdhi pas publikimit të audio-incizimeve në media të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së.  
 
FITIM KRYEZIU