Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Mickoski: Temë e mbyllur, nevojiten zgjedhje
13.07.2023 16:33
Ndryshimet kushtetuese jashtë synimeve të VMRO-DPMNE-së. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski...

Ndryshimet kushtetuese jashtë synimeve të VMRO-DPMNE-së. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se tanimë me pushtetin mund të flasin vetëm për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që i vlerëson si përralla pretendimet e pushtetit se deputetë të VMRO-së do të mbështesin ndryshimet kushtetuese.
“Kaloi më shumë se një vit dhe ata thonin se unë jam problemi. Kishin një vit që të gjejnë një njeri, i cili do të votonte ndryshimet kushtetuese, kishin disa zgjidhje që i ofrova përgjatë vitit dhe tani në tavolinë kanë vetëm një dhe kjo është të ulemi dhe të merremi vesh për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Gjithçka e mbetur janë pjesë e përrallave të peshkatarëve, gjegjësisht gënjeshtrat dhe fantazia e këtyre njerëzve që edhe pak kohë do të jenë pjesë e Qeverisë.”, - deklaroi kryetari i VMRO – DPMNE-së, Hristijan MICKOSKI.
Kaevski: Me bllokimet, Mickoski kundër BE-së
Social-demokratët me kundërqëndrim se Mickoski dhe VMRO – DPMNE punojnë kundër interesit të vendit duke i shkuar për shtat vendeve të tjera që nuk duan të shohin Maqedoninë në BE. Ata porositën Mickoskin se mund të izolojë veten, por jo edhe shtetin, andaj procedura e ndryshimeve kushtetuese sipas LSDM-së duhet nisur.
“Frenimi i VMRO – DPMNE-së, atë që po bëjnë në Kuvend duke bllokuar reformat dhe mos bashkëpunuar për çështje të rëndësishme strategjike sikurse anëtarësimi në BE, është veprim aktiv dhe i drejtpërdrejtë kundër BE-së dhe NATO-s.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Edhe përkundër kundërshtimeve të VMRO-së, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka deklaruar se amendamentet për ndryshimet kushtetuese do të hyjnë në procedurë parlamentare kah fundi i muajit.
MERAL ISMAILI
