Maqedoni
Gjykata në Kumanovë, ka përfunduar kontrolli hetimor
13.07.2023 16:55
Ka përfunduar kontrolli hetimor në Gjykatën Themelore në Kumanovë, e cila duhet t’i tregojë shkaqet për zjarrin...

Ka përfunduar kontrolli hetimor në Gjykatën Themelore në Kumanovë, e cila duhet t’i tregojë shkaqet për zjarrin që shpërtheu në pjesën e arkivit. Në mbikëqyrje morën pjesë prokurori themelor publik nga Shkupi, shefi i prokurorisë publike në Kumanovë, një prokuror kujdestar nga Kumanova, një ekip mbikëqyrës nga SPB Kumanovë bashkë me krim-teknikën nga Shkupi, një elektro-inxhinier dhe inspektor për zjarre.
Dyshimet e para për shkaktimin e zjarrit ishin instalimi i vjetër elektrik megjithatë arsyeja e saktë do të dihet pas përfundimit të ekspertizave.
“Lëndën do ta punojnë në Prokurorinë në Shkup, për shkak të konfliktit të interesave për arsye se edhe ne si prokurori jemi të vendosur në ndërtesën e Gjykatës. Informacionet e para për shkaqet e zjarrit do të dalin pasi të kryhen ekspertizat. Janë dhënë urdhrat e duhura nga prokurorja publike e Prokurorisë në Shkup. Në vazhdim do t’ju informojmë me detajet.”, - deklaroi shefja e Prokurorisë së Kumanovës, Teuta Bediu Ramadani.
Për të lokalizuar zjarrin në Gjykatën e Kumanovës që ndodhi këtë javë u deshën intervenime plotësuese që prolongoi edhe fillimin e kontrollit hetimor. Së shpejti pritet të fillojë rregullimi i hapësirave të dëmtuara nga zjarri. Deri atëherë, rastet urgjente do të zgjidhen në Gjykatën Penale në Shkup me urdhër të Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë.
FLORIJE KAMBERI
