Maqedoni
Besimi: 1.283 qytetarë investojnë në fletobligacion
13.07.2023 17:17
Rreth 24 milion euro qytetarët kanë depozituar në fletëobligacionin qytetar...

Rreth 24 milion euro qytetarët kanë depozituar në fletëobligacionin qytetar, përmes të cilit qytetarët mund të investojnë në projektet zhvillimore të shtetit, por në të njëjtën kohë të përfitojnë edhe materialisht.
Qytetarët kanë shprehur interes të lartë, informoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, pasi shifra e mbledhur është dyfish më e lartë se ajo që ka projektuar Qeverisë, tha ministri Besimi. Këto mjete do të shfrytëzohen kryesisht për projekte kapitale.
“Kërkesa ka arritur në 1 miliard e 448 milion e 30 mijë denarë nga 1.283 qytetarë dhe ne për shkak të interesit të madh të qytetarëve dhe për shkak se ideja fillestare ishte që kjo të jetë edhe si përfitim i qytetarëve do ta regjistrojmë të gjithë kërkesën, ashtu që qytetarët më 20 korrik, kur do të përfundojë i gjithë procesi, në depozitarin e letrave me vlerë, në regjistrin do t’i kenë të evidentuar në pronësi të tyre dhe ato vlera do të jenë në thesarin e shtetit dhe do të mund t’i shfrytëzojmë për projekte zhvillimore të shtetit.”, - deklaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Besimi shprehet se nëpërmjet këtij fletobligacioni, qytetarët kontribuojnë edhe në uljen e ekonomisë së zezë në shtet, qytetarët kanë interes financiar më të madh, pa mos rrezikuar investimin e tyre me kamata të larta, kurse shteti fiton një instrument të ri dhe financohen projekte që janë me interes për shtetin.
Besimi tha se do të ketë edhe një instrument të ri, konkretisht për fletobligacion të gjelbër, në të cilin do të munden edhe qytetarët edhe personat juridik të investojnë në projekte të gjelbra.
ERSAN PAJAZITI
