Maqedoni
Chollet: Integrimi varet nga ju, ne ju përkrahim
14.07.2023 16:26
Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sakrifica në përpjekjet për integrimet euro-atlantike...

Tani kur është hapur një derë, hapi i ardhshëm përpara drejt Bashkimit Evropian varet nga Maqedonia e Veriut, tha këshilltari në Departamentin e Shtetit të ShBA-ve, Derek Chollet për agjencinë informative MIA.
Në të gjithë përpjekjen tuaj për integrim, do të gjeni përkrahjen tonë, është shprehur Chollet.
“Keni arritur shumë në tre dekadat e pavarësisë suaj dhe këtë e keni arritur pavarësisht zhgënjimeve kur dyert njëra pas tjetrës u mbyllën para jush. Me kurajo dhe sakrificë hapët derën e NATO-s dhe ne ishim pranë jush kur hytë. Tani u hap një derë tjetër. Siç tha së fundmi ambasadorja Angela Aggeler, në thelb të vendimit tuaj, janë njerëzit tuaj.”, ka thënë Chollet.
Chollet nënvizon se partneriteti ndërmjet ShBA-ve dhe RMV-së do të vazhdojë të jetë i fuqishëm edhe në të ardhmen. Ai tha se Maqedonia e Veriut tani luan një rol të rëndësishëm edhe në politikat globale.
“Kryesimi i jashtëzakonshëm i OSBE-së i vendit, si një udhëheqës i vërtetë, në këto momente vendimtare është jetik për përpjekjet tona në luftën kundër përhapjes së dezinformatave nga Rusia dhe për të mbështetur Ukrainën. Së bashku kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe sigurisë rajonale të energjisë. Ky është vetëm fillimi i një partneriteti të fortë që shkon përtej kufijve të vendeve tona dhe shtrihet në sigurinë rajonale dhe sfidat globale.”, thotë Chollet.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh filloi bisedimet qasës me BE-në. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
ERSAN PAJAZITI
