Maqedoni

Takimi Mariçiq-Escobar në Uashington: Konsensusi nacional për integrime, i patjetërsueshëm

14.07.2023 17:10

Maqedonia e Veriut e ka në dorë kohën kur duhet të miratohen vendime të rëndësishme...

Maqedonia e Veriut e ka në dorë  kohën kur duhet të miratohen vendime të rëndësishme, përndryshe nuk dihet kur më tutje do ta ketë shansin për anëtarësim në BE.
 
Kështu ka thënë zëvendëskryeministri, Bojan Mariçiq për Zërin e Amerikës, i cili në kuadër të takimeve treditore në Uashington ka siguruar përkrahjen e fuqishme të aleates, Amerikën, për avancimin e rrugës eurointegruese të vendit.
 
Potencon se deri në nëntor akoma kemi kohë për t’i miratuar ndryshimet kushtetuese. I bën thirrje VMRO-DPMNE-së të llogarisë për vendimet që mbajnë përgjegjësi historike.
 
“Përkrahjen nga aleati strategjik e kemi, por për asnjë plan tjetër B. Përkrahja vjen vetëm  për realizimin e planit A, plan i vetëm që e kemi e që është  përfundimi i ndryshimeve kushtetuese, vazhdimi i negociatave me BE-në dhe anëtarësimi i RMV-SË deri në vitin 2030.  Secila parti, secili politikan  që do t’i kundërvihet këtij plani do të mbajë përgjegjësi historike për mossuksesin eventual. Duhet VMRO-DPMNE-ja dhe deputetët e saj të japin përgjigje se përse  punojnë në lëshimin e këtij shansi, ngaqë vitin  e ardhshëm do të kemi kontekst tjetër, ndërsa ne do të vonohemi në raport me lëvizjen e rajonit.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq. 
 
Qëndrimin  e tij në Uashington,  zëvendëskryeministri Mariçiq e ka përmbyllur me takimin e zëvendës ndihmës sekretarin amerikan, Gabriel Escobar, të cilin e ka njoftuar hollësisht për zhvillimit aktuale në vend. Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor ka siguruar  përkrahjen e ShBA-ve për vendin tonë dhe njëherit ka theksuar nevojën urgjente  për konsensus nacional për shansin evropian. 
 
Mickoski: S’luajmë nga qëndrimet, izolimi s’vjen prej nesh
 
Por, si duket  partitë politike nuk do të jenë të njëzëshëm në këtë sfidë, pasi VMRO-DPMNE-ja nuk lëvizë nga pozicioni. Thonë se qëndrimet e tyre nuk i kanë ndryshuar dhe këtë ua kanë thënë në takim edhe  ministrave të jashtëm të vendeve të BE-së.
 
Mickoski pohon se ngecja e procesit mund të vijë për shkak se Kovaçevski nënshkroi me Bullgarinë marrëveshje që paraprakisht nuk pati konsensus dhe që nuk e pranoi populli.
 
“Nëse dikush e izolon Maqedoninë, kjo vjen për shkak të kriminelëve të  pushtetit, për shkak të nivelit të kriminalitetit që pamundëson realizimin e reformave. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është kriter për siç thoni për “izolimin e Maqedonisë”, ndërsa nga ana tjetër prej të treve mora bindje  se në asnjë moment nuk e thanë fjalën “izolim”, por thanë se do të ketë ngecje të procesit.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Në tentativë për t’i bindur subjektet politike që t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese, BE-ja ka intensifikuar  vizitat e ministrave dhe diplomatëve në Shkup,  ndërsa javëve në vijim kryediplomati i vendit Bujar Osmani paralajmëroi ardhjen e ministrave të tjerë nga vendet e unionit.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU