Maqedoni
Rasti "Titanik 3", Ismet Guri dhe Ejup Alimi u shpallën fajtorë
14.07.2023 17:55
Gjykata Penale në Shkup, në rigjykim për rastin "Titanik 3" sërish shpalli fajtorë Ismet Gurin dhe Ejup Alimin...

Gjykata Penale në Shkup, në rigjykim për rastin "Titanik 3" sërish shpalli fajtorë Ismet Gurin dhe Ejup Alimin, të cilët akuzohen për shkatërrim të materialit zgjedhor. Ata u dënuan me nga 3 vite e 6 muaj burg.
Sipas gjykatëses, Marija Kletniçka, të akuzuarit në zgjedhjet lokale, kur u zgjodh kryetari i Komunës së Çairit në vitin 2013, në grup falsifikuan dokumentet që shërbenin për zgjedhje dhe votim, duke manipuluar votat.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit u tha se i akuzuari Guri është fajtor, për shkak se gjatë zgjedhjeve lokale në Komunën e Çairit, në vitin 2013, së bashku me dëshmitarët Blerim Muhaxheri dhe Qani Toçi, kanë falsifikuar procesverbalin e votimit.
Ndërsa, i pandehuri Alimi është fajtor për veprime të kundërligjshme për asgjësimin e materialit zgjedhor. Ajo tha se dëshmitarët në procedurën e përsëritur gjyqësore kanë ndryshuar deklaratat e tyre, por provat tregojnë shkatërrimin e materialit zgjedhor. Sipas gjykatëses, mbrojtja është dhënë me qëllim që të pandehurit të shmangin përgjegjësinë, por ata nuk e dëshmojnë pafajësinë e tyre.
"Gjykata vlerësoi dhe pranoi provat e mbrojtjes. Por, ato nuk dhanë një situatë faktike të ndryshme nga ajo që kishte konstatuar gjykata. Përkundrazi, mbrojtja është në kundërshtim me provat e dhëna dhe janë dhënë me qëllim që të pandehurit t'i shmangen përgjegjësisë penale për krimet në fjalë.", deklaroi gjykatësja.
Fillimisht më 31 mars të vitit 2020, Ismet Guri dhe Ejup Alimi u dënuan me nga tre vjet e gjysmë burg për “Titanik 3”.Në vitin 2021, Gjykata e Apelit mori një vendim për rigjykim të lëndës. Apeli dha udhëzime për vlerësimin ligjor të krimeve për të cilat ata ndiqen penalisht, për të kontrolluar se kush e ka kryer atë krim.
Për shkak të kësaj, ka pasur edhe ekspertizë të re, e cila ka dhënë të njëjtat rezultate si ato të mëparshme. Rasti është hapur nga Prokuroria Speciale Publike (PSP) në vitin 2017.
FLORIJE KAMBERI
