Villareali ndalon Realin në shtëpi
Villarreali është shtuar në rradhën e skuadrave që kanë ndalur këtë sezon Real Madridin, pasi që “Nëndetësja e Verdhë” ka arritur të nxjerrë një barazim me rezultat 1-1 në Santiago Bernabeu...

Reali e startoi këtë takim me formacionin më të fortë dhe me pikëpamje për të fituar, pasi edhe presioni u rrit nga Barcelona, e cila triumfoi ndaj Granadas të shtunën.
Megjithatë pjesa e parë kaloi me dominim të lehtë të vendasve, por pa raste konkrete shënimi.
Në minutën e 52-të ishte Eric Bailly ai që shkaktoi një ndërhyrje në zonë, e cila i dhuroi Realit një penalti, e cila u konvertua në gol nga Cristiano Ronaldo, i cili e shënoi golin e 31-të këtë sezon në La Liga. Por, Villarreali nuk u dorëzua dhe insistoi.
Një goditje precize e Gerardo Morenos nga jashtë 16 metërshit përfundoi në portën e Casillas, për të barazuar rezultatin në minutën e 64-të.
Nga ky moment filloi dhe lufta e Realit për fitoren me raste të shumta nga Bale dhe një tjetër nga Jese i cili nuk shënoi në golin e zbrazët.
Edhe Villarreali ishte pranë golit, kur Varane ndali një sulmues mysafir në zonë, në momentin krucial të shënimit.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat dhe Real Madridi kështu bën lëshimin e radhës të papritur në shtëpi.
Me këtë barazim Reali ka 61 pikë, dy më shumë se Barcelona në vendin e dytë dhe shtatë më shumë se Atletico Madridi në vendin e tretë.
