Maqedoni

Përkujtohet gazetari Mehmedi në 6-të vjetorin e ndarjes nga jeta

18.07.2023 14:10

Në shenjë respekti dhe nderimi për gazetarin dhe publicistin Qani Mehmedi...

Në shenjë respekti dhe nderimi për gazetarin dhe publicistin Qani Mehmedi, në 6 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, familjarët, miqtë dhe shokët e veprimtarisë mediale, sot vendosën lule të freskëta mbi varrin e tij dhe evokuan kujtime për kontributin kolosal që ai e dha në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, si një vizionar dhe kreator aksionesh në të gjitha trevat shqiptare ku ai veproi si gazetar, publicist dhe intelektual i guximshëm në misionin e mobilizimit të masave për proceset e kthesave vendimtare të kombit. 
 
Me pjesëmarrjen e tyre, këtë shënim përkujtimor e nderuan edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kreu i Kërçovës, Fatmir Dehari, të cilët gazetarit Qani Mehmedi i shprehën mirënjohje të veçanta për kontributin e dhënë në fushën e medias dhe në proceset e vështira për popullin shqiptar në hapësirat ballkanike.
 
“Qani Mehmedi i mungon familjes dhe komunitetit, por mbi të gjitha neve na mungojnë analizat, artikujt mbi zhvillimet shoqërore dhe politike në hapësirat shqiptare, ballkanike dhe evropiane. Qani Mehmedi ka qenë një analist i përkushtuar, i orientuar drejt për të shpjeguar opinionin për zhvillimet e ngjarjeve dhe epilogun e tyre, për të pasur paqe, siguri dhe zgjidhje të qëndrueshme në këto hapësira.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
“Kam pasur fatin ta njoh Qaniun qysh si student në UP, të jem pjesë e mësimeve të tij, këshillave të tij dhe edukimit. Qaniun e kemi pasur afër edhe në pjesën e luftës, ku ishte i pranishëm edhe komandanti ynë Ali Ahmeti dhe pastaj edhe pas luftës ai ishte përsëri afër nesh për mbarëvajtjen e proceseve të mëtejme politike, deri në fitoren e Kërçovës, të cilën Qaniu e përjetoi me shumë emocione.”, - theksoi kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.
 
Në fund, vajza e Qaniut, Besiana, u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që në këto 6 vite, kanë qenë pjesë e përkujtimit dhe nderimit për gazetarin dhe publicistin, Qani Mehmedi.
 
SHABAN DALIPI