Maqedoni

Revoltë në partinë Alternativa, kërkohet shkarkimi i Ibrahimit dhe Sali

18.07.2023 14:32

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, duhet që të marrë masa të shkarkojë sekretarin Zeqirja Ibrahimin dhe nënkryetarin Bekim Sali...

Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi, duhet që të marrë masa të shkarkojë sekretarin Zeqirja Ibrahimin dhe nënkryetarin Bekim Sali, kështu kanë deklaruar sot një e treta e Kuvendit Qendror përmes një konference nga Tetova. Nga ky grupacion kanë adresuar një sërë kritikash ndaj bashkëpartiakëve të tyre, të cilët kanë theksuar se nëse kryetari Gashi nuk merr masa rrezikon që partia të shkojë drejt zhdukjes.
 
“Qëkur e mori detyrën e sekretarit të përgjithshëm bashkë me nënkryetarët e partisë, duke qenë në ekzekutiv dështuan në çdo premtim parazgjedhor, shkelën çdo parim që e promovuan dhe kësisoj duke revoltuar anëtarët dita ditës vetëm po tkurremi si subjekt, gjë që edhe anketat e fundit po e dëshmojnë. Sakrifikimi i gjithë subjektit për të shpëtuar karrierën politike të nënkryetarit Bekim Sali përskaj dështimeve evidente dhe koordinimit me eksponent jashtë partisë sonë, gjithashtu vetëm se e shton indinjatën tonë ndaj të dyve. Andaj është koha e fundit që kryetari të veprojë dhe ta shkarkojë të lartpërmendurin, ngase përndryshe subjekti po shkon drejt shkatërrimit.”, - deklaroi Dritan Bexheti nga Dega Alternativa, Tetovë.
 
Me një komunikatë me shkrim, Alternativa ka theksuar se është e hapur për të diskutuar për të gjitha temat, ndërsa ka akuzuar këtë grupacion të partisë së janë shfrytëzuar nga pushteti më qellim që të mos bashkohet opozita shqiptare.
 
“Alternativa mbetet e hapur të diskutojë për secilën temë në organet e saj qendrore – Kuvend dhe Kryesi Qendrore. Edhe tema e llogaridhënies është e pranueshme. Zaten ajo është bërë rregullisht nga drejtuesit e partisë, por ka ardhur koha që atë ta bëjmë edhe për kryetarët e degës dhe veçmas, për ish-funksionarët, disa nga të cilët, siç është edhe ish-drejtori i Fondit Pensional – lënë shumë për të dëshiruar. Kjo do të bëhet në një mbledhje të ardhshme të Kuvendit Qendror, në të cilën secili do të përballet me punën, suksesin, por edhe dështimin e tij. Alternativa nuk ia mbulon askujt “mëkatet”, ndërsa opinioni pastaj le të gjykojë.”, - thuhet në Komunikatën me shkrim nga Alternativa.
 
Përndryshe nga grupacioni i pakënaqur nga Alternativa thonë se edhe bashkëpunimi me Lëvizjen “Besa” ishte hap i përshpejtuar, pasi sipas tyre që nga bashkëpunimi nuk ka as një hapë konkret mesë dy subjekteve. Këto të fundit u bëjnë thirrje të gjithë të pakënaqurve të partisë dhe ish-funksionarët që t’u bashkëngjiten dhe përfundimisht ta shpëtojmë Alternativën sa nuk është bërë shumë vonë.
 
VISAR SADIKU