Maqedoni
LSDM: DPMNE ka dhënë koncesion për minierën “Ilovica”
18.07.2023 14:55
Nuk pushojnë akuzat ndërmjet veti të partive politike se kush e ka dhënë me koncesion minierën e “Ilovicës” ...

Nuk pushojnë akuzat ndërmjet veti të partive politike se kush e ka dhënë me koncesion minierën e “Ilovicës” dhe kush nuk e thotë të vërtetën. LSDM akuzon se në kohën e regjimit, DPMNE dhe Nikolla Gruevski kanë dhënë koncesione për minierën “Ilovica”, si dhe 85 koncesione të tjera për miniera në mbarë vendin.
“Vendimi për minierën “Ilovica” është marrë më 16 qershor 2012, i nënshkruar nga bashkëpunëtori i Mickoskit, Zoran Stavrevski dhe i publikuar në “Gazetën Zyrtare” në të njëjtin muaj të vitit 2012. Në të njëjtin vit, komunat e Bosilovës dhe Novo Sellës, të cilat asokohe menaxhoheshin nga kryetarët e komunave nga DPMNE, morën vendim për hapjen e minierës.”, thonë nga LSDM-ja.
VMRO-DPMNE: Pushteti e ka planifikuar prej kohësh minierën
Në anën tjetër, VMRO-DPMNE reagon se LSDM-ja dhe BDI-ja e kanë planifikuar prej kohësh hapjen e minierës “Ilovica”. Sipas të gjitha veprimeve të ndërmarra nga Qeveria, në vend të kompanive të njohura botërore për nxjerrjen dhe tregtimin e metaleve, “Ilovica” duhet të menaxhohet nga kompanitë e familjes Destani, e cila është e afërt me BDI-në, thonë nga partia opozitare.
“Pas marrjes së aksionit dhe pëlqimit të marrë nga Qeveria, kompania e Destanit ishte e detyruar me ligj që t'i paguante shtetit një dëmshpërblim në masën 7% të vlerës së koncesionit. Cila kompani paguan për të hyrë në një projekt që e di paraprakisht se do të dështojë? Një logjikë e shëndoshë thotë se një kompani e tillë nuk ekziston. Prandaj lind pyetja a ka pasur paraprakisht marrëveshje? Sidomos duke pasur parasysh se qeveria nuk mund ta lejonte Destanin të hynte në “Ilovica”.”, - deklaroi zëdhënësja dhe anëtarja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
Sipas njoftimeve të mëparshme të ministrave, pika e rendit të ditës në seancën e qeverisë duhet të jetë “Ilovica”. Ministria e Ekonomisë bëri të ditur se ministri Kreshnik Bekteshi, nesër do të mbajë një konferencë për media ku do t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve lidhur me koncesionin në "Ilovica".
SEDAT SELIMI
