Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Ademi: Të votohen ndryshimet, porosia e ndërkombëtarëve
18.07.2023 15:17
Ndërkombëtarët po na e zgjojnë ndërgjegjen dhe paralajmërojnë se tani është momenti i fundit për realizimin e ndryshimeve kushtetuese...

Ndërkombëtarët po na e zgjojnë ndërgjegjen dhe paralajmërojnë se tani është momenti i fundit për realizimin e ndryshimeve kushtetuese. Këtë e theksoi deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, pas takimit në Kuvend me ministrat për çështje evropiane nga Polonia, Gjermania dhe Franca. Ai thotë se takimi me ministrat evropian ka qenë konstruktiv dhe porosia e tyre ka qenë e qartë ”nëse vendi nuk është me Rusinë, atëherë duhet të votohen ndryshimet kushtetuese”. I pyetur rreth kushtëzimit që gjatë intervenimit në kushtetutë të hiqet edhe 20% dhe të zëvendësohet me gjuhën shqipe, Ademi thotë se çfarëdolloj komplikimi i procesit integrues është në dëm të shtetit dhe qytetarëve.
“Çfarëdolloj bllokimi, pengimi, frenimi, arsyetimi për mosvotim i shërben Rusisë, këtë gjë na e thanë sot ministrat e vendeve mike të RMV-së. Tekstualisht po ua them kështu, nëse nuk jeni me Rusinë i votoni ndryshimet kushtetuese. A ka porosi më të qartë? Po na thonë sot është treni i fundit, votoni ndryshimet kushtetuese. Nuk ka arsyetime. Për çdo çështje mund të diskutohet, por nëse ne mbajmë ison e VMRO-DPMNE-së dhe flasim me gjuhën e tyre vetëm e vetëm për të komplikuar dhe bllokuar procesin eurointegrues mendoj se nuk i bëjmë shërbim vendit, shoqërisë dhe qytetarëve tanë.”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
Zendeli: Insistojmë të zgjidhet çështja e 20%-it
Nga Lëvizja “Besa” thonë se ata vazhdojnë të insistojnë që gjatë hapjes së Kushtetutës të zgjidhet edhe çështja e 20%-it.
“Çështja e 20%-it është çështje për të cilën ne do të insistojmë deri në fund që të jetë çështje debati dhe e vendimmarrjes e jo sa për ta thënë për opinionin publik dhe qytetarët. Lëvizja “Besa” fuqishëm do t’i qëndrojë kësaj konstance. Do të insistohet që puna e 20%-it të zgjidhet. Nuk i bëjmë dëm askujt përveç se zgjidhim një çështje që është në interes të shqiptarëve dhe besoj se është edhe në interes të shtetit.”, - theksoi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
Milloshovski: Pushteti nuk ka dy të tretat e votave
Deputeti i VMRO DPMNE-së Antonijo Milloshoski thotë se nga ajo që u tha nga deputetët e shumicës në takimin me ministrat për çështje evropiane mund të konstatohet se pushteti është I vetëdijshëm se nuk ka dy të tretat për të bër ndryshimet kushtetuese.
“Në 2018-ën ne kishim deklarata të shkëlqyeshme nga kancelarja gjermane Merkel, të kancelarit austriak Kurc se nëse ndërrohet emri kushtetues, dyert e BE-së do të hapen. Shumica e bëri këtë, por dyert mbeten të mbyllura. Do të ishte mirë që të kishte zgjedhje parlamentare, që partitë politike të ofrojnë zgjidhje për këtë problem të krijuar tashmë dhe më pas të bisedohet për një konsensus më të gjerë se si duhet të ecë vendi përpara por me një perspektivë të caktuar se do të arrijë qëllimin.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Por, nga LSDM thonë se është përgjegjësi e të gjitha partive politike dhe të gjithë deputetëve për të arritur qëllimin strategjik shumëvjeçar, anëtarësimin e plotë në BE.
“Hristijan Mickoski mund të izolohet, por nuk ka të drejtë të izolojë shtetin, LSDM nuk do ta lejojë këtë. Së bashku me partnerët e koalicionit dhe të gjithë ata që janë për të ardhmen evropiane të vendit, nuk do të lejojmë që qytetarët të humbasin edhe 11 vite në izolim, siç ndodhi në kohën e pronarit të Mickoskit, Nikolla Gruevskit.”, thuhet në kumtesën me shkrim të LSDM-së.
SANIJE DURAKU
