Maqedoni

Kumanovë, aksidentohen një veturë dhe lokomotiva e trenit

18.07.2023 16:11

Një 28 vjeçare ka marrë lëndime, pasi që vetura e saj është aksidentuar me lokomotivën e trenit....

Një 28 vjeçare ka marrë lëndime, pasi që  vetura e saj është aksidentuar me lokomotivën e trenit.
 
“Më 17.07.2023 rreth orës 15.00 në SPB të Kumanovës është raportuar se në pikëkalimin hekurudhor në fshatin Rramanli të Kumanovës, ka ndodhur një aksident midis një automjeti udhëtarësh të markës “Pezho”  me targa të Kumanovës, e drejtuar nga M.M. (28) nga Kumanova dhe lokomotiva e trenit.”, njoftojnë nga SPB e Kumanovës.
 
Edhe në Spitalin e Kumanovës kanë konfirmuar se në këtë aksident lëndime trupore ka pësuar M.M. nga Kumanova. Pasqyrimin e gjendjes faktike në vendin e ngjarjes e ka kryer ekipi i SPB të Kumanovës.
 
Qytetarët kërkojnë mjete mbrojtëse në hekurudhë
 
Banorët e Rramanlisë shprehin revoltën duke kërkuar nga autoritetet e Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa konkrete për parandalimin e aksidenteve.
 
“Ne si banorë kërkojmë dhe duam të vendosen rampat që mos  të kemi problem më të mëdha, kemi fëmijë, pleq që kalojnë këtë rrugë, mos të vjen deri te më e keqja. Para disa viteve patëm një rast ku treni përplasi për vdekje fqinjin, kështu po vjen deri te më e keqja, për një vit kemi 3 deri 4 aksidente.”, - theksoi një banor i fshatit.
 
“Ju lutemi që të vendoni rampa sa më shpejtë të jetë e mundur, sepse kjo është rrezik për jetën e banorëve dhe qytetarëve të tjerë.”, - theksoi një banor tjetër.
         
Ndryshe, ky nuk është aksident i parë në këtë pikëkalim hekurudhor, pasi që në këtë vend edhe më parë kanë ndodhur aksidente, kurse në pikëkalimet tjera ka patur aksidente edhe me fatalitet, andaj edhe duhet pranuar seriozisht kërkesat e banorëve të këtushëm.
 
FATLUM AQIFI