Maqedoni

Dorëheqja e Mexhitit nga BDI, Ademi: Më vjen keq, shumica është stabile

18.07.2023 16:38

Pasi që dje ish-nënkryetari dhe deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti, ka nisur procedurat për hapjen...

Pasi që dje ish-nënkryetari dhe deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti, ka nisur procedurat për hapjen e partisë së re politike dhe ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në BDI, koordinatori i grupit parlamentar të kësaj partie, Arbër Ademi, tha se tash ish-deputetët e BDI-së janë trajtuar mirë dhe kanë mbajtur poste të larta, por që i vjen keq sepse lajmin e ka marrë nga mediat, jo nga ato.  Edhe përkundër largimit të deputetëve nga BDI-ja, Ademi thotë se shumica parlamentare është stabile. 

“Kjo shumicë aktuale parlamentare është në të njëjtat numra që nga momenti i formimit të saj. Kjo Qeveri dhe program qeveritar është zgjedhur me të njëjtat numra sa i ka edhe sot. Fare nuk pres kjo të ndikojë në shumicën parlamentare dhe kjo është pjesë e diskursit të përditshëm politik, secili në bazë të vullnetit të vet të lirë mund të zgjedh rrugën e vetë politike.”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
 
Milloshovski: Përçarje dhe mungesë uniteti politik
 
Edhe LSDM-ja dhe ASh-ja me vlerësim se largimi i tre deputetëve nuk ndikon në shumicën parlamentare. Ndërkohë që partia e Mickoskit, thonë se pushtetin e gjeti pikërisht ajo që deshi t’i ndodh opozitës, përçarje dhe mungesë uniteti politik. 
 
“Veprimi i disa deputetëve të shumicës që të veprojnë si opozitë është dëshmi më e madhe se nuk bëhet fjalë për front evropian. Ata po vendosin të veprojnë si opozitë për shkak se kanë kuptuar se në Qeveri është korrupsioni i lartë dhe nuk janë përmbushur premtimet. Qeveria e cila tentoi ta përçajë opozitën, po përjeton krizën më të madhe dhe mungesën e unitetit politik brenda saj.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Zendeli: Përforcon opozitën shqiptare
 
Vendimin e Mexhitit, Lëvizja “Besa” e sheh si përforcim të bllokut opozitar shqiptar. 
 
“U krijua një ndasi dhe tash siç e shihni një grupacion politik me deputetë të caktuar tashmë kanë kaluar në pjesën opozitare dhe kjo nënkupton se përforcohet kampi opozitar, veçanërisht atë shqiptar. Tashmë funksionon Lëvizja Besa-Alternativa, përforcimi edhe me këtë grup, e përforcon opozitën shqiptare brenda Kuvendit.”, - u shpreh deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
 
Përveç Izet Mexhitit dhe Merita Koxhaxhikut, partisë së re politike i është bashkuar edhe deputeti Kastriot Rexhepi, për të cilin nga BDI-ja thonë se ka vepruar si deputet i pavarur dhe nuk ka qenë deputet i BDI-së, ndërsa kur ka marrë mandatin e deputetit, ai ka qenë në listën e LSDM-së.
 
SANIJE DURAKU