Maqedoni
Kuvend, ndryshime ligjore në ligjin për media
18.07.2023 17:43
Ndryshimet në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizive tashmë janë dorëzuar në seancën parlamentare...

Ndryshimet në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizive tashmë janë dorëzuar në seancën parlamentare. Tani nis faza e dytë e diskutimit, e cila do të përditësojë ligjin. Jo të gjithë do të jenë të kënaqur aq sa duan, por është e rëndësishme që të gjithë të jenë të kënaqur dhe të mos ndihen jashtë atij ligji, thekson ministri përgjegjës Azir Aliu.
Digjitalizimi, administrata publike dhe media janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e mjedisit demokratik në vend, ndaj insistohet që ligji të përmirësojë, jo ta përkeqësojë hapësirën mediatike. Ndryshimet e ligjit në fazën e parë kanë të bëjnë me aksesin në fondet e Evropës kreative dhe pjesa e dytë do të krijojë një kuadër ligjor për mediat private.
Sa i përket pjesës financiare, servisi publik do të marrë maksimum 1 për qind të buxhetit nga të ardhurat totale të realizuara në vitin që i paraprin vitit fiskal për të cilin është përcaktuar shuma. Faza e dytë është duke u punuar me zyrën e BE-së në Maqedoni, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, me të cilët Ministria thotë se të gjithë do të jenë të kënaqur me transparencën e institucioneve publike, politikanëve dhe menaxherëve në institucionet publike.
Megjithatë, ka ankesa nga një pjesë e publikut në lidhje me financimin, ku 75% e fondeve vjetore janë të destinuara për fushata shtetërore që do të transmetohen vetëm në televizionet kombëtare, nëpërmjet operatorit të multipleksit tokësor digjital, 25% e fondeve vjetore janë të destinuara për fushatat shtetërore që do të transmetohen vetëm në televizionet shtetërore, nëpërmjet një operatori publik të rrjetit të komunikimit elektronik dhe nëpërmjet satelitit.
Për pesë televizionet kombëtare propozohet një tjetër burim financimi, që operatorët e telekomunikacionit dhe kabllor t'u paguajnë një tarifë që do të caktohet nga Qeveria. Një ligj për shërbimet mediatike audio dhe audiovizive është i nevojshëm për shtetin, duke qenë se këto ndryshime po bëhen pas një periudhe të gjatë. E gjithë kjo me premtimin se do të përmirësohet puna dhe funksionimi në eterin e Maqedonisë së Veriut.
ERSAN PAJAZITI
